Nuk do të ketë një karantinë të dytë, por Manastirliu paralajmëron se ka një “por”
Vendi nuk do të kalojë një karantinë të dytë, por ekspertët në varësi të numrit të rasteve do të bëjnë një vlerësim. Kështu shprehet ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa sot u regjistrua numri më i madh i rasteve me Covid (117) që nga dita kur u zbulua i infektuari i parë në vend.
“Nuk parashikojmë mbyllje, por do ketë vlerësim dinamik gjithsesi nga ekspertët. Por dua të theksoj ndërgjegjësimin e individit në raport me situatën. Është ky një apel që duhet bërë nga të gjithë edhe nga mediat. Qytetarët duhet ta kuptojnë përmasën e situatës. Ju bëj thirrje qytetarëve të mbajnë maskë në ambientet e mbyllura”, tha ministrja në ‘Top Talk’.
Ndërkohë, brenda disa ditësh, spitali “Shefqet Ndroqi” do të rikthehet edhe njëherë si spital që d të trajtojë pacientët e infektuar me Covid-19. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pas një vizite në ambientet e këtij spitali.
“Pas diskutimeve në Komitetin e Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë kemi vendosur që së shpejti brenda këtyre ditëve të rihapim si një spital që do të trajtojë pacientët me Covid spitalin “Shefqet Ndroqi””, tha ajo.
Manasatirliu shtoi se po forcohen kapacitetet spitalore edhe në terapinë intensive. Ministrja kujtoi se nëse edhe spitali Covid 2 do të mbushet me pacientë atëherë parashikohet të kalohet në skenarin e tretë ku spitali i ish-Kirurgjisë pritet të kthehet në Covid.
Gjithashtu Manastirliu u shpreh se ekziston edhe skenari i katërt i spitalit karantinë. Ministrja apeloi që njerëzit të respektojnë rregullat duke mbajtur distancë, duke vendosur maskën dhe duke ruajtur higjienën personale dhe kolektive.