Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, thotë se në Shqipëri veprojnë mbi 600 organizata fetare. Duke komentuar rastin e Kombinatit në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, Gurra tha se këto grupime hyjnë në vendin tonë përmes Komitetit Shtetëror të Kulteve.
“Të gjitha këto grupime që hyjnë në Shqipëri, hyjnë përmes miratimit të Komitetit Shtetëror të Kulteve. Ka mbi 600 e disa organizma e grupime fetare që veprojnë brenda kornizës fetare në Shqipëri. Në momentin e parë kanë një datë regjistrimi”, tha Gurra.
Ai shtoi se një rol të rëndësishëm për kontrollin e veprimtarisë së këtyre grupimeve duhet të ruajnë komunitetet e mëdha fetare.
“Anëtarët dhe mënyrën e funksionimit brenda cilit religjion ofrojnë shërbim, duhet komunitetet e njohura ta ndjekin pjesën e tyre në raport me qytetarët. Jo të bëjnë punën e forcave të rendit apo sigurisë, por të kenë kontakte në zonë. Pra çfarë rrjedhe po marrin këta besimtarë. E bëjë këtë krahasim edhe me daljen e grupimeve me frymë radikale të para disa viteve në Shqipëri”, tha ai.