Nuk ka vonuar përgjigjja e kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pasi bien ndesh me Kushtetutën.
Në një reagim në Twitter, Rama shkruan se as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, por listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!“, shkruan Rama.
Ai shton gjithashtu se modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian.
“Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndim! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman!”, përfundon Rama.