Bota SHBA, sanksione ndaj “kuzhinierit të Putinit”

SHBA, sanksione ndaj “kuzhinierit të Putinit”

Administrata Trump u ka vendosur sanksione kompanive të lidhura me një biznesmen rus që njihet për lidhjet e tij të afërta me presidentit rus Vladimir Putin, nën dyshimet se ka ndihmuar në financimin e fushatave të fshehta në median sociale që synonin votuesit amerikanë përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Vendimi i shpallur të mërkurën synon kompani të regjistruara në parajsa fiskale tek te cilat siç thonë zyrtarët amerikanë, Yevgeny Prigozhin ishte mbështetur duke transferuar miliona dollarë si dhe për të shmangur sanksionet në Sudan, ku administrata Trump thotë se Rusia ka qenë e përfshirë në operacione paraushtarake dhe në mbështetje të regjimeve autoritare.

“Veprimet e sotme do të kufizojnë më tej përpjekjet e Prigozhin dhe mbështetësve të tij për të nxitur trazira apo minuar reformat demokratike në Sudan”, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë duke njoftuar sanksionet.

Zoti Prigozhin, i cili për shkak të marrëdhënies së ngushtë me zotin Putin njihej me pseudonimin “kuzhinieri i Putinit”, tërhoqi vëmendje në vitin 2018 pasi ai dhe kompanitë ruse që ai kontrollonte u paditën nga Prokurori i Posaçëm amerikan Robert Mueller si pjesë e hetimeve të tij mbi lidhjet mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump. Ai u akuzua për financimin e një përpjekjeje për të përhapur dezinformacion nëpërmjet medias sociale dhe për të përçarë opinionin publik amerikan mbi çështje të nxehta sociale përpara zgjedhjeve. Në mars Departamenti i Drejtësisë i hodhi poshtë akuzat ndaj dy prej kompanive, “Concord Management” and “Consulting LLC dhe Concord Catering”, duke përmendur shqetësimet se këto subjekte do ta përdornin çështjen për të dërguar informacione të ndjeshme që përdorin organet e zbatimit të ligjit në Rusi, ndërsa masa e dënimit të tyre nuk do të ishte domethënëse.

Të mërkurën sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vendosin kufizime vizash për kompani kineze si Huawei Technologies, të cilën ai e akuzoi se ka lehtësuar shkeljet e të drejtave të njeriut.

Sekretari Pompeo tha gjithashtu se kompanitë e telekomunikacionit kudo në botë paralajmërohen se nëse bëjnë biznes me firmën Huawei, “ata po bëjnë biznes me abuzuesit e të drejtave të njeriut.”

Zoti Pompeo tha në një konference për shtyp se Departamenti i Shtetit “do të vendoste kufizime vizash për punonjës të caktuar kompanish teknologjike kineze si Huawei të cilat ofrojnë mbështetje materiale për regjimet e përfshira në shkelje dhe abuzime të të drejtave të njeriut në shkallë globale.”

I pyetur për heqjen e kompanisë Huawei nga infrastruktura e telekomunikacionit britanik, zoti Pompeo tha se “sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë”.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka urdhëruar që pajisjet e firmës Huawei të hiqen plotësisht nga rrjeti 5G i Britanisë deri në fund të vitit 2027.

Në një deklaratë tjetër, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara kundër popullsisë myslimane pakicë të Kinës, zoti Pompeo tha se Huawei është “një mjet i shtetit mbikëqyrës të kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze, që censuron disidentët politikë dhe mundëson ekzistencën e kampeve të internimit masiv në Sinkiang”.

“Disa punonjës të Huawei-t ofrojnë mbështetje materiale për regjimin e Partisë Komuniste Kineze që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë

Huawei mohon që spiunon për qeverinë kineze dhe thotë se Shtetet e Bashkuara synojnë ta sabotojnë rritjen e kompanisë, sepse asnjë firmë amerikane nuk e ofron të njëjtën teknologji me çmim konkurrues.

POMPEO KRITIKON HETIMIN E OBSH-SË NË KINË

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se ai pret që hetimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për origjinën e koronavirusit në Kinë të jetë “plotësisht i deformuar”.

Rreth 580,000 njerëz në të gjithë botën kanë vdekur nga COVID-19 dhe më shumë se 13 milion janë infektuar pas shpërthimit që filloi në Wuhan të Kinës vitin e kaluar.

OBSH-ja me qendër në Gjenevë tha se po dërgonte një ekip në Kinë për të hetuar se si nisi shpërthimi i koronavirusit.

“Ky është një regjim që nuk e bëri të ditur informacionin që kishte për virusin, i cili ka vrarë mbi 100,000 amerikanë … dhe tani po lejon Organizatën Botërore të Shëndetësisë të shkojë për të kryer atë që unë jam i bindur se do të jetë një hetim plotësisht i deformuar,” u tha zoti Pompeo gazetarëve.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më kritik ndaj OBSH-së, dhe kanë deklaruar largimin nga kjo agjenci e OKB-së.

Presidenti Donald Trump, i cili është kritikuar ashpër për reagimin e tij ndaj shpërthimit të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, që kanë numrin më të lartë të vdekjeve në botë, më shumë se 136,000, është përpjekur të fajësojë Kinën.

“Shpresoj të jem i gabuar. Shpresoj të jetë një hetim i plotë që u shkon gjërave deri në fund, por unë kam parë sjelljen e Partisë Komuniste Kineze sa i përket virusit që u përhap nga Wuhani dhe ata thjesht kanë refuzuar,” tha zoti Pompeo.

“Ata kanë shkatërruar mostrat. Ata nuk i kanë lejuar gazetarët dhe mjekët që ishin gati të flisnin, për të bërë atë që duhet të bëjnë vendet të cilët kërkojnë të kenë rol të vërtetë në shkallë globale dhe në skenë globale: të jenë transparentë dhe të hapur, të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë,” tha Sekretari amerikan i Shtetit./VOA