Gjykata Europiane e Drejtësisë ka vendosur së fundmi të ndalojë transferimin e të dhënave personale të qytetarëve të Unionit drejt SHBA. Gjykata ka konsideruar ankesën e një qytetari austriak, Maximillian Schrems, përdorues i Facebook që nga viti 2008, i cili kërkoi nga kompania të ndalonte transferimin e të dhënave të tij në serverat që ndodhen në SHBA me pretendimin se ky vend nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme të tyre.
Sipas qytetarit në fjalë, çështja kryesore është legjislacioni amerikan që toleron aksesin e autoriteteve publike në të dhënat private. Komisioni Europian e ka rrëzuar ankesën duke argumentuar se SHBA ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme, ndërkohë që vetë BE ka një marrëveshje me SHBA në këtë kuadër, quajtur Mburoja e të Dhënave SHBA-BE.
Vendimi njeh si legjitim shqetësimin e qytetarit austriak në të drejtën që legjislacioni amerikan mundëson aksesin e autoriteteve publike, duke vendosur kështu nevojën e kontrolleve mbi transferimin. Gjykata ka referuar Rregulloren e fundit të miratuar në BE, duke imponuar kështu kosto shtesë për kompanitë që operojnë këtë fushë.