Sport Kessie flet si lider: Dua që të qëndroj gjatë për ta rikthyer...

Kessie flet si lider: Dua që të qëndroj gjatë për ta rikthyer Milanin në Champions

Tri gola radhazi dhe paraqitje fantastike. I kudondodhur në fushë, Franck Kessie ka befasuar tifozët, shokët e ekipit dhe Paolo Maldinin, që u shpreh me superlativa për mesfushorin kuqezi.

Në një intervistë për “Sky Sport”, futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka folur mbi gjendjen e tij, objektivat, raportin me trajnerin Pioli dhe të ardhmen.

“Gjatë dy muajve kemi punuar gjithmonë. Kemi bërë atë që duhet të bënim, ndaj gëzojmë rezultatet. Kemi fituar kundër ekipeve të mëdha sepse tashmë jemi edhe ne. Duhet të qëndrojmë në këtë moment të formës deri në fund” .

“Vendi i pestë? Çdo gjë është e mundur! Duhet të marrim sa më shumë pikë deri në fund”.

Calhanoglu dhe Ibra? “Jam i lumtur për Calhanoglu,  po bën shumë mirë, si në Gjermani në atë kohë. Ibra është një lojtar i shkëlqyeshëm, ai ndihmon ekipin”.

Kessie mund të largohej në verë, sipas lajmeve, por lojtari hedh poshtë gjithçka: “Gazetarët ishin ata që më larguan sepse me klubin kishim raport super. Do të qëndroj deri në fund të kontratës”.

Raporti me Piolin delikat? “Në fillim po, deri sa mësova se çfarë donte nga unë pasi ishte ndryshe nga Gattuso. Më dha shumë besim”.

Goli ndaj Parmës me goditje jashtë zone më i bukuri në karrierë? “Absolutisht po! Por dua të vazhdoj të shënoj. Milani duhet të kthehet në Champions, tashmë jam bërë veteran këtu”.