Rasti i rrallë i një pacienti me iktus në Itali ka nxitur Universitetin e Padovës të kryejë një studim. Tre vjet më parë, një 50-vjeçar italian pësoi një iktus, të cilit i mbijetoi pa asnjë dëmtim. Madje, me një element të shtuar. Ai tani flet italisht me theks sllav.
Është fjala për një sindromë të rrallë që njihet si sindroma e theksit të huaj. Por ajo që e bën akoma më të rrallë këtë rast është fakti se ai është njëri prej tre rasteve në të gjithë botën që nga viti 1800, që iktusi godet hemisferën e djathtë të trurit.
“Pacienti, i kuruar plotësisht nga pikëpamja klinike, në zgjim konstatoi se ka fituar një theks sllav, edhe pse ai kurrë nuk ka qëndruar në vendet me karakteristika fonetike të kësaj zone gjeografike dhe nuk ka pasur kontakte të gjata me njerëz nga ato rajone. E veçanta e çështjes është për faktin se zona kortikale e vendosur në lobin frontal të majtë është thelbësore për gjuhën, ndërsa pacienti u prek nga goditja në anën e djathtë”, shpjegon Konstantinos Priftis, një nga neurologët që kanë hartuar studimin e publikuar në “Cortex”.
Ndryshimi i theksit përfshin vendosjen e gjuhës, nofullave, buzëve, laringut dhe faringut në mënyrë të ndryshme. “Nga studimi ynë del se në një ekzaminim të plotë metabolik (Tac / Pet) ka pasur një hipometabolizëm të qartë të pranishëm në trurin e vogël. Prandaj kemi demonstruar për herë të parë që një lezion i heshtur në këtë zonë gjeneron sindromën e theksit të huaj edhe pas një dëmtimi të djathtë hemisferik”, thonë ata.
Konkluzioni është se rasti italian, në të cilin lidhen goditja në hemisferën cerebrale të djathtë me sindromën e theksit të huaj gjatë zgjimit, i atribuohet një rasti të konstatuar për herë të parë të një rënieje të metabolizmit në pjesën e majtë të trurit dhe se mund të shkaktohet nga një mutacion shumë i rrallë gjenetik. Kjo hipotezë e dytë hap një skenar interesant dhe të ri në programimin e gjuhës: mutacioni gjenetik gjithashtu ka çuar në përdorimin e pjesës së djathtë për funksionet e gjuhës, një detyrë kjo që gjithmonë i është deleguar vetëm hemisferës së majtë.