Presidenti Hashim Thaçi ka mbërritur në Kosovë. Ai është pritur në pikën kufitare në Morinë nga dhjetëra qytetarë nën thirrjet “UÇK! UÇK!”. Në një moment presidenti Thaçi ka dalë nga makina dhe ka përshëndetur turmën e madhe të njerëzve. Ai u kthye nga Haga ku u intervistua nga Dhomat Speciale.
Muajin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit. Thaçi ka lajmëruar se do të flasë për pyetjen në Hagë mbrëmjen e së shtunës duke nënvizuar se “askush nuk mund të rishkruajë historinë e Kosovës”.