Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se nuk do të japë urdhër që amerikanët të përdorin maskë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Deklarata e tij erdhi pasi eksperti i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci i kërkoi udhëheqësve të SHBA-së që ta bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskës. Sipas Faucit, “maska është shumë e rëndësishme dhe të gjithë ne duhet ta mbajmë”.
Presidenti Trump, i cili më parë refuzonte që të mbante vetë maskë, u pa me një të tillë për herë të parë të shtunën e kaluar, duke thënë se ka një vend dhe një kohë të caktuar kur duhet mbajtur ajo. Trump ishte duke vizituar një spital në Uashington.
Por, duke folur dje për “Fox News”, Trump tha se nuk është dakord me përdorimin e maskës me detyrim, duke shtuar se njerëzit duhet të kenë “një farë lirie”.
SHBA vijon të mbetet epiqendra e pandemisë, me rreth 3,6 milionë raste me koronavirus dhe më shumë se 139 000 viktima, shifra më e lartë e viktimave në botë.