Sport Juventusi ndryshon pistë, kërkon Zapatën për sulmin

Juventusi ndryshon pistë, kërkon Zapatën për sulmin

Një Gonzalo Higuain jashtë forme i ka krijuar vështirësi të shumta Maurizio Sarrit gjatë këtij sezoni, pasi nuk ka pasur një sulmues pykë që të luajë në qendër të repartit të avancuar dhe është detyruar të improvizojë me Ronaldon e Dybalën.

Pikërisht për këtë arsye bardhezinjtë kanë si objektiv afrimin e një emri me peshë në atë pozicion dhe pas disa negociatash pa sukses me polakun Arkadiuz Milik e Napolin, kanë vendosur të hidhen në një tjetër pistë.

Bëhet fjalë për sulmuesin kolumbian të Atalantës Duvan Zapata, i cili pëlqehet shumë nga drejtuesit e Juventusit si Paratici e Nedved, por ka edhe miratimin e Sarrit, ndonëse ku i fundit e largoi nga Napoli në verën e 2015-ës.

Pas shpërthimit me fanellën e Sampdorias, Zapata u transferua te Atalanta në verën e 2018-ës dhe arriti të shënojë 28 gola që në sezonin e parë me zikaltrit, ndërsa këtë vit ka shkuar në kuotën e 18 golave, 17 prej të cilëve në kampionat.

Kartoni i kolumbianit 29-vjeçar vlerësohet rreth 60 milionë euro, ndërsa oferta e parë e bardhezinjve është 30 milionë euro plus kartonin e portierit Mattia Perin, i cili është pronë e Juventusit, por luan i huazuar te Genoa.

Gjithsesi sipas mediave italiane, portieri Perin nuk josh drejtuesit e Atalantës, të cilët ndihen të kompletuar me Gollini e Sportiellon në portë, megjithatë mund të pranojnë ndonjë futbollist tjetër nga Juve për të realizuar marrëveshjen.