Bashkëpunëtori dhe miku i ngushtë i Michael Schumacher, Jean Todt vijon të japë lajme të mira për legjendën e Formula 1. Gjatë një interviste në Budapest, ku po zhvillohet Çmimi i Madh i Hungarisë, ish-drejtuesi i Ferrari-t tha: “E pashë Michael-in javën e kaluar. Po lufton. Shpresoj që së shpejti bota do të ketë mundësi ta shohë përsëri. Për këtë pu punojnë ai dhe familja e tij”.
Që prej aksidentit në Alpet franceze më shumë se 6 vite më parë, gjithçka rreth gjendjes shëndetësore të gjermanit, 7 herë kampion i Formula 1, ka qenë një mister. Ai vazhdon të jetojë në një shtëpi në Liqenin Gjeneva ku vetëm një grup shumë i vogël miqsh e familjarësh ka pasur mundësi të shohë, mes tyre edhe Todt. Francezi e konsideron gjermanin si djalin e tij pas bashkëpunimit të jashtëzakonshëm te Ferrari, ku fituan tituj për pilotë e konstruktorë.
Schumacher i është nënshtruar përgjatë viteve disa operacioneve dhe ka qëndruar në spital për gati një vit. Muajin e kaluar u raportua nga media të ndryshme që Schumi do t’i nënshtrohej një trajtimi eksperimental me qeliza staminale, por duket se kjo është shtyrë për një moment të dytë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
I pyetur nga “Daily Mail” nëse e vlerëson Schumacher-in si pilotin më të madh të Formula 1, Todt, tha: “E dua shumë, por është e pamundur të thuash kush është më i miri në botë. Kemi emra si Juan Manuel Fangio, Jim Clark, Ayrton Senna dhe Michael. Mund të thuash vetëm kush është më i miri për një periudhë të caktuar”.
Schumacher mban rekordin në Formula për gara të fituara, 91, dhe tituj kampion 7. Por këtë vit, një tjetër legjendë e sportit, Lewis Hamilton, mund t’i thyejë këto rekorde, pasi deri tani ka 85 gara të fituara dhe 6 tituj kampion.