Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka pezulluar përkohësisht shërbimin për vizat dhe pasaportat për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe rritjes së numrit të të infektuarve në vendin tonë.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë ambasada gjermane në një njoftim në Facebook, ku bën me dije se Zyra e Vizave dhe Pasaportave do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të dytë.
Ndërsa personat të cilët kishin caktuar takim në këtë zyrë, do të njoftohen për një datë të re.
Njoftimi i ambasadës gjermane:
Prej ditës së sotme, e hënë 20 korrik 2020, nisur nga gjendja aktuale Zyra e Vizave dhe e Pasaportave të Ambasadës Gjermane në Tiranë është e mbyllur për arsye parandaluese. Personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin në momentin më të parë të mundshëm një datë/orë të re aplikimi. Ne do të informojmë përmes faqes së internetit apo Faceboouk-ut sapo zyra të rinisë veprimtarinë e saj. Lutemi për mirëkuptimin tuaj.
Në raste urgjente konsullore mund të na kontaktoni përmes numrit të shërbimit të gatshëm 068 202 9109. Lutemi për mirëkuptimin tuaj që përmes këtij numri nuk mund të japim informacione rreth datave të aplikimit apo procedurave për vizë.