Një histori frymëzuese jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe të dashurisë në çift mbërrin nga Anglia dhe më konkretisht nga Leicesteri.
Sipas BBC, Michael 91 vjeç dhe bashkëshortja e tij Gillian England 88 vjeç, dolën së fundmi nga spitali dorë për dore me njëri-tjetrin pasi fituan luftën me koronavirusin.
Jo vetëm kaq, por ata u kthyen në një burim frymëzimi për mjekët dhe infermierët që u kujdesën në spitalin e Leicester-it. Kjo pasi ata pohuan se Michael çdo ditë çohej nga krevati, më pas vishej dhe shkonte te bashkëshortja e tij, që e kishte më të vështirë për të lëvizur. Gjatë kësaj kohe, të kapur dorë për dore me njëri-tjetrin, ata konsumonin kafen e mëngjesit.
Ushtrimet fizike që bënte çdo ditë lanë të kuptohej se kishin dhënë ndikim te Michael. Gjatë kohës që shkonte drejt Gillian ai përpiqej të bënte disa ushtrime. Në një status të bërë në Facebook nga spitali i Leicester thuhet se “Gillian mezi priste që burri i saj të vinte”.
Çifti ka fiks 61 vite të martuar së bashku, ndërsa as koronavirusi nuk kishte shansin t’i ndajë.