Kryesore Qeveria ashpërson masat: Mbyllen klubet e natës dhe diskot

Qeveria ashpërson masat: Mbyllen klubet e natës dhe diskot

Qeveria ka vendosur që të ndalojë së hapuri klubet e natës, diskot, lounge baret dhe çdo lloj shërbimi tjetër të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur. Kjo masë vjen si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve dhe moszbatimit të protokolleve të sigurisë nga ana e këtyre lloj biznesesh. Nga mbyllja përjashtohen vetëm restorantet.

“Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare”, tha Manastirliu.

Ndalohet edhe muzika pas orës 20:00

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se pas orës 20:00 do të ndalohet muzika në të gjitha mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji.

“Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore”, tha Manastirliu.

Pse këto masa

Ministrja tha se javët e fundit është vënë re një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve në respektimin më mirë të distancës sociale dhe përdorimit të maskave, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për lokalet e natës, diskot, apo mjediset e tjera si këto.

Qeveria ka konstatuar se në këtë periudhë ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.

Manastirliu bëri thirrje që të mos harrohet se kemi hyrë në një normale të re ku kërkohen sakrifica. Deri në krijimin e një vaksinë, ministrja tha se duhen zbatuar në mënyrë rigoroze masat si distancimi social, higjiena vetjake, përdorimi i maskës dhe çdo lloj mase tjetër që rekomandojnë autoritetet shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit.