Njeriu me dy baballarë, njëri ishte Pablo Escobar, tjetri një agjent sekret anglez
Një histori e denjë për një libër thriller, e në fakt kështu ka ndodhur. Djali i parë i Pablo Escobar, të cilin pakkush e njeh, ka publikuar një libër ku tregon anën e tij të historisë, atë të djalit të madh të trafikantit më famëkeq të drogës në botë, të rritur nga një agjent sekret i shërbimit inteligjent britanik.
“Kisha dy baballarë. Atë që thërrisja baba – dhe e doja shumë – ishte njeriu që më birësoi, një anglez me emrin Patrick Witcomb. Ai ishte agjent i MI6, i cili punonte për shërbimin inteligjent britanik dhe më shpëtoi jetën kur mamaja ime, vetëm një adoleshente, u vra në një atentat në Kolumbi”, tregon Roberto Sendoya Escobar. “Por babai im biologjik ishte Pablo Escobar, gangsteri më famëkeq në botë, i cili ishte i gatshëm të vriste këdo për të më marrë”.
Pasi Witcomb e mori me vete në Angli dhe e birësoi, Roberto ndryshoi emrin dhe u quajt Phillip. Në librin me kujtimet e jetës, botuar së fundmi, ai tregon sesi agjenti i fshehtë dhe bashkëshortja ia mbajtën të fshehtë identitetin e vërtetë dhe të nënës së tij për vite me radhë.
“Babai adoptiv zyrtarisht punonte në kompaninë britanike të printimit të kartëmonedhave, por ishte një agjent i fshehtë me detyrën për t’u infiltruar mes bandave të drogës në Kolumbi. Asokohe Pablo Escobar ishte thjesht një kriminel i ri, por reputacionin e kishte të frikshëm dhe kishte nisur të binte në sy të agjencive të huaja”.
“Mos e harro kurrë, ti je një Escobar’
Roberto kujton ditën kur Pat dhe Joan, prindërit që e kishin birësuar, i treguan të vërtetën dhe e lejuan të takohej me babain biologjik, Pablo-n. “Ishte mbrëmja e fundvitit 1969, ishte vetëm 4 vjeç dhe ata më çuan në një hotel në Medelin. Babai po rrinte disa metra larg, ndërsa mua afrua një burrë me mustaqe. E mbaj mend edhe tani, vinte një erë kolonje e lirë e përzierë me një aromë të çuditshme, që tani e di se ishte marijuanë. ‘Don Roberto’, më thirri, por pasi e pa që unë mbeta i habitur shtoi: ‘Ah, po, tani je Don Felipe!’. Nuk ndihesha i kërcënuar prej tij, folëm për disa minuta dhe në fund më tha ‘lamtumirë, do të shihemi përsëri. Dhe mos e harro kurrë, ti je një Escobar’. Nuk e kisha idenë se për çfarë po fliste dhe kur pyeta babain tim më tha se ishte thjesht një person me të cilin na lidhte puna”.
Kërcënimet e Escobar për të rimarrë të birin
Me kalimin e viteve, dhe kërcënimet e Escobar për të rimarrë të birin, agjenti britanik e transferoi djalin e vogël në Bogota, për të shmangur rrëmbimin. Një përpjekje ndodhi, por fatmirësisht truproja i caktuar nga babai adoptiv, arriti të vriste grabitësin e dërguar nga Pablo.
“Për të shmangur rreziqe të mëtejshme, unë u dërgova në Angli, për të vazhduar shkollën”. Por me t’u rikthyer në Bogota për pushimet e verës, Escobar do të përpiqej sërish të rrëmbente atë që në fakt ishte djali i tij. Edhe një herë grabitësi do të dështonte. Por në shenjë hakmarrje, Escobar do të urdhëronte vrasjen e truprojës së Roberto-s. Një mesazh edhe për babain e tij adoptiv, Pat, se kush komandonte…