Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim në Presidencë me ambasadorët e Bashkimit Europian të akredituar në vendin tonë.
Në takim kanë qenë të pranishëm ambasadori i Francës, ai i Spanjës, ambasadori i Italisë dhe ambasadori i Britanisë së Madhe.
Në fokus të takimit ka qenë marrëveshja e “5 qershorit” e votuar dje në Kuvend me 99 pro, dhe ndryshimet kushtetuese që pritet të votohen më datë 30 korrik.
“Kënaqësi të prisja sot Ambasadorët e Delegacionit të BE, të vendeve anëtare dhe të Mbretërisë së Bashkuar të akredituar në Tiranë.
I sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.
Theksova rëndësinë e vazhdimit të punës së Këshillit Politik vetëm në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.
I njoha me pozicionin tim të qartë se çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjësojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkroi kreu i shtetit në Facebook
Ambasadorët e vendeve të BE dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë përshëndetën votimin e marrëveshjes në Kuvend dhe thanë se ajo i hap rrugë anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Situata politike në vend është ende e nxehtë pasi në 30 qershor pritet që mazhoranca të miratojë ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve.
Mirëpo, në këtë pikë, nuk është dakord opozita jashtëparlamentare.