Një biznesmen ka rënë pre e një mashtrimi kompjuterik nga një shtetas i huaj që jeton jashtë Shqipërisë. Biznesmeni ka bërë denoncim në polici në Qershor dhe pas hetimeve, u zbulua e gjithë skema e mashtrimit.
Në bazë të kësaj skeme, duke i ndërhyrë në e-mail dhe duke i marrë të dhënat, autori i mori biznesmenit 89550 Euro.
Policia shqiptare, në bashkëpunim me një bankë të nivelit të dytë në vendin tonë, bëri të mundur bllokimin e shumës 89550 Euro, e cila ishte transferuar në një llogari jashtë territorit të Shqipërisë.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas i huaj ka hapur llogari bankare jashtë vendit tonë, me të cilën përfitonte fonde nga vende të ndryshme të botës nëpërmjet skemave të mashtrimit kibernetik.
Aktualisht po vazhdojnë hetimet procedurale për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale përsa i përket këtij rasti, si dhe për vendosjen përpara përgjegjësisë penale të çdo personi të implikuar në këtë vepër penale.