Kina urdhëroi ambasadën amerikanë në qytetin perëndimor të Chengdu të mbyllej pas një konflikti diplomatik, në periudhën më të keqe të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo lëvizje erdhi si përgjigje e urdhërit të Trump për të mbyllur konsullatën kineze në Hjuston, pasi Uashingtoni akuzoi agjentët kinezë se po përpiqeshin të vidhnin studime mjekësore dhe kërkime të tjera në Teksas.
Marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së janë ftohur pas disa konfliktesh në lidhje me tregtinë, trajtimin e pandemisë së koronavirusit, teknologjinë, akuzat për përgjim, çështjen e Hong Kongut dhe pretendime për abuzime ndaj myslimaneve kinezë.
“Kjo masë e ndërmarrë nga Kina është legjitime dhe një përgjigje e nevojshme ndaj aktit të pajustifikuar amerikan”, shkruhej në deklaratën e ministrisë së jashtme kineze.
“Situata aktuale e marrëdhënieve midis Kinës dhe SHBA-së nuk është aspak ajo që Kina dëshiron të shohë. SHBA është përgjegjëse për të gjithë këtë situatë”, shkruhej më tej në deklaratë.
Të martën, administrata e Trump urdhëroi që konsullata kineze në Hjuston të mbyllej brenda 72 orësh me pretendimet se agjentët kinezë po përpiqeshin të vidhnin të dhëna shkencore nga sistemet mjekësore në Teksas.
Ministria e Jashtme kineze i hodhi poshtë këto pretendime duke i quajtur “shpifje dashakeqëse” dhe paralajmëroi se mbyllja e konsullatës në Hjuston do të “thyente urën e miqësisë” mes dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një ambasadë në Pekin dhe në 5 qytete të tjera kryesore në Kinë.