Bota Amerikanët futen brenda konsullatës kineze në Hjuston

Amerikanët futen brenda konsullatës kineze në Hjuston

Agjentët federalë amerikanë dhe efektivë të tjerë të agjencive ligjzbatuese u futën në konsullatën kineze në Hjuston Teksas të premten pasdite, pasi një ditë më parë selia diplomatike kishte marrë urdhër që të mbyllej, pasi ishte pjesë e një rrjeti spiunazhi.

Zyrtarë amerikanë thanë për gazetarët se konsullata ishte përfshirë në një hetim për mashtrim në një institut kërkimor në Teksas dhe nëpunës të saj ishin përfshirë drejtpërdrejt me persona të tjerë të cilëve u kishin dhënë instruksione çfarë të dhënash të siguronin. Në momentin e futjes së agjentëve amerikanë në konsullatë nuk kishte asnjë person nga stafi, pasi të gjithë ishin larguar.

Hetuesit besojnë se kjo është vetëm një pjesë e vogël e një rrjeti të gjerë individësh në 25 shtete amerikane që janë përfshirë në veprimtari spiunazhi.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar ndjeshëm përgjatë vitit të fundit, për shkak të luftës tregtare, pandemisë së koronavirusit dhe kritikat e Uashingtonit ndaj Pekinit për kufizimin e lirive në Hong Kong dhe Xinjiang.

Si kundërpërgjigje për urdhrin amerikan, Kina kërkoi gjithashtu mbylljen e konsullatës amerikane në Chengdu. Shtetet e Bashkuara kanë konsullata në Shangai, Guangzhou, Chengdu, Shenyang, Wuhan dhe Hong Kong përpos ambasadës në Pekin. Ndërsa kinezët kanë pesë konsullata në SHBA, përveç ambasadës në Uashington.