Zbarkimi në TikTok, rekordi i ndjekësve në Instagram, skuadra e dytë që fiton kupën C, superskuadra e femrave, ja si klubi bardhezi ka kaluar kufijtë duke u kthyer në një perandori
Gjithmonë një hap përpara. Juventusi është më i shpejtë se të gjithë, në fushë dhe jashtë saj. E thonë fitoret, e thonë numrat, e thonë rrjetet sociale. Juventusi, nga një klub “i thjeshtë” futbolli, është kthyer në një brand global që i kalon kufijtë e sportit. Për të treguar ciklin e ri që ka hapur Juventusi, le t’i marrim gjërat me radhë.
Së pari, duhet gjetur rruga që të çon te suksesi me çdo mënyrë. Është formuar Juventusi U-23, që nga sezoni i ardhshëm i është besuar Andrea Pirlos. Sot për sot, është e vetmja skuadër italiane që luan në Serinë C e lançuar nga një eksperiment që fillimisht u prit me entuziazëm nga të gjithë, por që mbeti në letër nga 19 klubet e tjerë të Serisë A. Këtë sezon nuk arriti të ngjitet në Serinë B, por mund të ngushëllohet me trofeun e parë të saj, Kupën e Italisë për këtë kategori, e fituar ndaj Ternanës. Por ajo që ka më shumë rëndësi është procesi i rritjes së vlerave të xhevahirëve të saj.
Nga Nikolò Faxholi, i datëlindjes 2001 (31 ndeshje dhe 5 gola për të këtë sezon), te rumuni Radu Dragusin, i cili ka kushtuar 250 mijë euro dhe që i është rrëmbyer PSG-së dhe Atletiko Madridit, e deri te Xhakomo Vrioni, sulmuesi i Kombëtares shqiptare që disa herë ka shijuar grumbullimin me skuadrën e parë nga trajneri Sarri. Le të vëmë bast që shumë shpejt do të dëgjojmë të flitet shumë për ta…
Një tjetër Juventus fitues (edhe pse në tavolinë, për shkak të koronavirusit) është ai i femrave. Kampionati u ndërpre pas 16 javësh më 11 mars, me vajzat bardhezi të parat në renditje, me 9 pikë avantazh ndaj Fiorentinës dhe Milanit. Më 25 qershor këshilli federal i Federatës votoi me unanimitet dhënien e titullit për skuadrën e drejtuar nga Rita Guarino. Juventusi i femrave u krijua në 2017-ën dhe ky është titulli i tretë radhazi, bashkë me një Kupë Italie dhe një Superkupë.
Klubi bardhezi ka fituar ndërkohë edhe titullin e …Instagramit. Me 41.1 milionë ndjekës, Juventusi është një markë italiane në gjithë botën. Më mirë se firmat e njohura të modës (Guçi me 40.5 ndjekës), dhe më mirë se kompanitë e lavdishme të makinave. Për klubet e tjerë të Serisë A nuk ka histori, Milani është i dyti me 7.9 milionë ndjekës dhe më pas Interi me 5.3 milionë fansa. Motori i boom-it të rrjeteve sociale është pa dyshim shkëlqesia e tij, Kristiano Ronaldo, i cili vetëm në Instagram ka 231 milionë fansa, por klubi ka shkuar edhe më tej.
Përveç sitit të ri, – i lindur me sloganin “One touch away from you” që publikon lajme dhe video në JuventusTv, – ekosistemi bardhezi ka një rritje të jashtëzakonshme, falë Facebook, YouTube, Twitter, Sina Weib dhe prej pak ditësh edhe të TikTok. Futja në platformën dedikuar më të rinjve ka qenë një goditje e madhe falë një videoje, ku kampionët juventinë shkëmbenin festat e golit. CR7 ka treguar maskën e Dybalës, ndërsa Paulo ka bërë “siuuuuu”-n e portugezit. Por njerëzit e marketingut te Juventusi nuk ndalen dhe kanë programe të reja për të zhvilluar. Rezultati i kësaj strategjie? Vijnë tituj pa pushim, fitohen tifozë në botë dhe arkëtohen shumë para për t’u investuar më pas. Receta e duhur për të vazhduar me fitore në fushë dhe jashtë saj. Juventusi e di shumë mirë…