Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht Koordinator Kombëtar i Task Forcës për Burimet Njerezore Arben Gjata, ka qenë i ftuar pasditen e sotme në “Fax News”, ku ka folur për situatën e Covid-19 në vendin tonë.
Gjata ka zbuluar dhe përgatitjet që po bëhen për përballimin e situatës, teksa shifrat sa vijnë e rriten. Ai tha se po trajnohen infermierë të rinj për trajtimin dhe përkujdesjen për të sëmurët me Covid-19.
Po ashtu shtoi se në fazën e fundit, i cili është edhe skenari i fundit, është se do të hapen pavione Covid-19 në qytetet e mëdha për të trajtuar të sëmurët me koronavirus.
“Meqë ka dalë në plan hapja e Covid-3 dhe po mendohet hapja e Covid-4, është menduar një skenar që mjekë shumë të kualifikuar nga shërbimet përkatëse që është ‘Infektivi’, tek spitali ‘Shefqet Ndroqi’, të organizohen me grupe drejtuese të cilët do të marrin përsipër drejtimin e gjithë trajtimit të shërbimeve qoftë tek Covid 3 dhe Covid 4 ashtu siç veprohet tek Covid 1 dhe Covid 2.
Nga ana tjetër për të siguruar burimet njerëzore është rritur me 50 numri i personelit infermieror. Janë rreth 20 infermierë që janë rekrutuar në punë dhe vazhdon rekrutimi i të tjerëve dhe po trajnohen për t’ua marrë dorën për shërbimin e Covid-19.
Besoj se do të aktivizojmë edhe studentët e ciklit të tretë, sidomos të specialiteteve përkatëse duke i lidhur kontratë dhe ato që nuk kanë kontratë me MSH dhe duke u ofruar pagesën Covid-19 dhe nga ana tjetër është edhe lista e 3000 vullnetarëve dhe po krihen listat nga ana e MSH-së.
Është parashikuar se nëse do të vijojmë të kemi rritje, kemi edhe një skenar tjetër, që është skenari i fundit, që të hapim pavione Covid-19 në spitalet Rajonale duke filluar nga qytete më të mëdha dhe vendet më të prekura. Zakonisht ku ka ndërtesa vertikale ku mund të ketë ndarje midis një pavioni dhe një pavioni tjetër dhe një nga këto godina mund të dedikohet.
Në qytete të mëdha mund të dedikohet për pacientë Covid-19 dhe ndërkohë stafi i këtyre spitaleve po përgatit grupe që të merren me pacientët Covid, në mënyrë që të kenë mundësi të trajnohen të punojnë me grupe të vogla edhe në Tiranë në mënyrë që të kemi njerëz të trajnuar nëse do të hapen në spitale rajonale. Shpresojmë që qytetarët të ndërgjegjësohen, nuk duhen lënë vetëm mjekët, është një luftë që i përket gjithë shoqërisë shqiptare dhe duhet të zbatohen tre rregulla bazike. Mbajtja e maskave në ambient të mbyllur, distanca fizike, por edhe higjiena”, tha Gjata.