Më pak se 24 orë nga seanca që do të vulosë ndryshimet kushtetuese, numri dy i socialistëve, Taulant Balla i ka bërë thirrje Lulzim Bashës që të reflektojë dhe të pranojë ndryshimet.
Shigjetimet nuk i ka kursyer as për Shkëlzen Berishën, kur me ironi e krahason edhe me kryedemokratin.
“Gjoja, PD kërkon të hapen listat 100% dhe ne këtu nuk e duam këtë. Por si mund të hapen listat 100% pa u votuar ndryshimet kushtetuese nesër? Këtë Luli nuk e thotë, ndërkohë që thotë se paskemi shkelur afatet e kodit të praktikave më të mira të Venecias që nuk këshillon ndryshime një vit para zgjedhjeve. Po mirë, këtë kodin e praktikave të mira, Luli duhet ta lexojë sipas qejfit? Nëse do t’i qëndronim strikt këtij ndryshimi, atëherë nuk duhet të votonim të enjten as ndryshimet në kodin zgjedhor. Sipas Lulit, jemi vonë për hapjen e listave, prandaj t’i shtyjmë që të jemi më herë kur të jetë dakord Luli.
Nesër, më 30 korrik, ky parlament ka detyrën të hapë listat, pa pritur Lulin të bjerë dakord edhe pse shpresoj që edhe sot të reflektojnë. Është njësoj si të presësh Zenin të pranojë që është një sekser që ka abuzuar me pushtetin e babait. SPAK ka detyrimin të hapë hetimin mbi fabrikën e boronicave të arta, pa pritur që Zeni t’ia kalojë edhe këtë herë siç ja ka kaluar me dhjetëra herë kur babi kishte në dorë edhe gurin edhe arrën”, tha Taulant Balla.