Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat së bashku me përfaqësues të opozitës së bashkuar, dënoi votimin e sotëm të ndryshimeve kushtetuese nga ana e Kuvendit, duke e cilësuar shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës.
Basha tha se qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura, pasi sipas tij, Kryeministri e refuzoi propozimin e opozitës për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet.
“Sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës. Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij. Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet. Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë në historinë tonë 30 vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada. Kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten. Rama kërkon të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karrigen e tij. Sepse siç ka bërë deri më sot, Shqipëria i është dashur Ramës vetëm për interesat e tij personale. Nuk do t’ia dalë!”
Ndryshimet e njëanshme, siç i cilësoi ai, kreu i PD tha se nuk janë të detyrueshme për opozitën dhe aq më pak, për qytetarët. Kryedemokrati tha se akti i sotëm nuk e ndal ndryshimin, që sipas Bashës është i pashmangshëm.
“Akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar. Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret. Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm. Koalicioni ynë është me njerëzit, është me shqiptarët. Ne jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim. Ne duam dhe do të kujdesemi për vendin tonë, që ai të marrë prapë frymë lirisht”.
Kreu i PD tha më tej se beteja e opozitës për demokracinë, votën e lirë dhe fitoren e zgjedhjeve do të vijojë
“Atyre që kërcënojnë të na kthejnë në të shkuarën e partisë-shtet, ne do t’u tregojmë se nuk ka më kthim pas. Prandaj, ne do të vazhdojmë betejën për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën e lirë, dhe për të fituar zgjedhjet bashkë me shqiptarët. Asgjë nuk e ndal dot koalicionin mbarëpopullor kundër Ramës. Për ditë më të mira për familjet tona, për prindërit tanë, për fëmijët tanë. Fuqia jonë është tek vota dhe mbështetja e qytetarëve. Ky vullnet nuk zhbëhet dot nga maskarada si kjo e sotmja. Opozita e bashkuar do ta sjellë ndryshimin që duan të gjithë shqiptarët! Sado të përpiqen ta manipulojnë sistemin, koalicionin e madh të shqiptarëve nuk e tjetërsojnë dot. Ne qëndrojmë të bashkuar dhe flasim njëzëri: kur të vijë dita e zgjedhjeve, në Shqipëri do të vendosë vetëm vullneti i popullit shqiptar”.