Agjencia amerikane e Hapësirës NASA lëshoi sot me sukses nga Cape Canaveral i Floridës sondën robot Perserverance, një mekanizëm i gjeneratës së ardhshme që do të kërkojë gjurmë të mundshme jete në planetin Mars, fqinjin më të afërt të Tokës.
Sonda është vendosur në majë të raketës së fuqishme Atlas 5 dhe pritet të arrijë planetin e kuq në muajin shkurt. I gjithë misioni ka kushtuar 2,4 miliard dollarë. Sonda robot ka madhësinë e një makine dhe është e pajisur me 6 rrota.
Ajo do të lëshojë në planetin Mars edhe një mini helikopter dhe do të testojë pajisjet për misionet e ardhshme me njerëz në sipërfaqen e planetit.
Sonda Perseverance pritet të ulet në fundin e një krateri 250 metra të thellë të quajtur Jezero, një liqen i dikurshëm me moshë 3,5 miliard vjeçare, që shkencëtarët mendojnë se mund të ketë prova të ekzistencës së jetës mikrobike.
Prej një kohe të gjatë, shkencëtarët kanë debatuar nëse Marsi – dikur një planet shumë më mikpritës sesa është sot – ka patur ndonjëherë jetë.
Që nga zbarkimi i sondës së parë të NASA-s, Mars Sojourner, në vitin 1997, SHBA kanë dërguar edhe dy mjete të tjera robotike, Spirit dhe Opportunity, të cilët kanë eksploruar gjeologjinë e fushave të gjera marsiane dhe kanë zbuluar shenja të formacioneve ujore të periudhave të kaluara.
NASA ka në plan të dërgojnë astronautë në Mars në vitet 2030.