Kontratë 1-vjeçare me objektiv kalimin e turit të parë në Europa League dhe rikthimin te titulli kampion. Skënder Gega u prezantua zyrtarisht në krye të stolit të Kukësit, ndërkohë që klubi verilindor i ka dhënë siguri për ndërhyrjet në merakton, pas bllokimit nga ana e FIFA-s në muajin janar. Në konferencën për shtyp të zhvilluar në ambientet e “Air Albania” ish-trajneri i Partizanit shpalosi objektivat, por sigurisht duke ruajtur profilin modest, pa deklarata pompoze.
“Jam gati për këtë sfidë, por nuk kam premtuar asgjë. Kontrata ime është 1-vjeçare dhe do të bëj më të mirën time. Ambiciet e klubit nuk janë sekret, dihen, ne do të bëjmë më të mirën për t’ia dalë. Akoma nuk ka nisur puna, na duhet t’i marrim gjërat një e nga një. Do kërkojmë të bëjmë paraqitje dinjitoze në Europa League e sigurisht mendojmë për kalimin e turit. Do punoj si te Partizani, pra me të njëjtin përkushtim. Jam ambicioz, do bëj të pamundurën që gjërat të shkojnë sa më mirë. Kam besim se së bashku do t’i arrijmë objektivat”.
Kontrata: “Është njëvjeçare. Futbolli është sfidë, por nuk kam frikë. Do të bëjmë më të mirën që dimë, nëse nuk ia dalim, do të shikojmë çfarë do të ndodhë. Për kontratën time të flasim pas një viti. Nga paraqitja e Partizanit me Mariborin kam mësuar shumë. Championsi dhe Liga e Europës të japin mësojnë shumë. Jam optimist, sepse ekipi është më i konsoliduar sesa Partizani vjet. Do të punojmë fort dhe do t’i shohim gjërat me optimizëm”.
Merkato e bllokuar? “Merkatoja nuk është e bllokuar. Nuk kam preferenca për emrat, shoh vetëm anën teknike. Lojtarët do vijnë me miratimin tim. Kukësi ka cilësi, sfida jonë është në stërvitje, duhet parë gjithçka me optimizëm. Nuk është e thëne që meqë kam drejtuar Partizanin kërkon të afroj lojtarë nga kjo skuadër. Një gjë është e sigurt: ne nuk bisedojmë me lojtarë që janë nën kontratë dhe asnjë lojtar i Kukësit që ka kontratë nuk mund të largohet”.
Aktivizimi i të rinjve: “Kukësi ishte rival i Tiranës këtë sezon që u mbyll, bardheblutë dolën kampion me meritë. Sivjet kanë luajtur të rinj në disa ekipe, diçka e mirë. Është pozitive që po luajnë të rinj, kurse “Air Albania” i ka dhënë një imazh të ri futbollit shqiptar”.