Sport Klopp apo Guardiola? Lewandowski zgjedh më të mirin

Klopp apo Guardiola? Lewandowski zgjedh më të mirin

Robert Lewandowski e ka përzgjedhur Jurgen Klopp si trajnerin e tij të preferuar, ndërsa e përshkruan njeriun e stolit të Liverpool si “njeri me dy fytyra”: baba i kujdesshëm dhe trajner i pakursyer e bashkëpunues me lojtarët. Klopp e mori polakun te Borussia Dortmund nga Lech Poznan, verën e vitit 2010. Të dy vazhduan të punojnë së bashku në “Westfalenstadion” për katër sezone.

BVB fitoi dy tituj të Bundesligës dhe arriti një finale Champions-i gjatë asaj periudhe, me Lewandowski që shënoi 103 gola mbresëlënës në 187 ndeshje. Ndërkombëtari polak nënshkroi për Bayern Munich në vitin 2014, ndërsa Klopp mori rrugën drejt Liverpool-it një vit më vonë, për të filluar fazën tjetër të karrierës menaxheriale. Lewandowski i kaloi dy vitet e tij të para në “Allianz Arena”, duke punuar nën drejtimin e Pep Guardiolës, i cili mburret me një nga CV-të më të mëdha si trajner në historinë e futbollit.

Sidoqoftë, sulmuesi 31-vjeçar e ka renditur Klopp përpara spanjollit, si trajnerin më të mirë me të cilin ka punuar ndonjëherë. Ai tha për ESPN: “Unë zgjedh Jurgen Klopp (është i preferuari im) dhe pas tij Pep Guardiolën. Jam 100 për qind i bindur për këtë zgjedhje. Klopp ka dy fytyra. Ju mund të shihni tek ai babain në sjellje, fytyra e dytë është e trajnerit, menaxherit bashkëpunues.

Ai mund t’ju tregojë gjithçka, dhe nuk po flas vetëm për gjërat e mira, por edhe të këqija. Për lojtarët, ai është një motivues shumë i madh. Jurgen e bën këtë gjë në mënyrë të përsosur. Performanca e tij si trajner është e mahnitshme, por jo vetëm si trajner, edhe si njeri”.