Një 35-vjeçar shqiptar ka rënë në pranga në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Sipas asaj që shkruajnë mediat, i riu kishte blerë një vajzë të re tek disa bashkatdhetarë të tij për 500 Euro dhe e nxirrte në rrugë ku e shfrytëzonte si prostitutë.
Arrestimi i tij u krye pas një aksioni të policisë, ndërsa shqiptari dyshohet se është pjesë e një grupi më të gjerë kriminelësh që rekrutonin gra të reja për prostitucion.
Agjentët kanë zbuluar se vajza e shfrytëzuar është shqiptare dhe jetonte në kushte shumë të vështira. Asaj i kishin marrë dokumentet dhe pasaportën ndërsa ishte e detyruar të flinte në një banjë të vogël.
“Shpeshherë qëndronte pa ushqim”, shkruhet në mediat italiane. Në një rast ajo kishte tentuar të ikte, por më vonë ishte dhunuar nga 35-vjeçari, i cili e kishte blerë.
Sipas mediave, i riu e kishte marrë vajzën nga disa shqiptarë të tjerë, organizata kriminale e të cilëve u godit në fund të Korrikut.