Dr. Anthony Fauci pret që vaksina kundër COVID-19 të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti, dhe pandemia të vihet nën kontroll
Bota nuk do të mund ta zhdukë koronavirusin, tha Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor amerikan mbi sëmundjet infektive, gjatë një interviste për Reuters. Sipas tij, vaksina mund të ndihmojë vetëm për të vënë nën kontroll.
“Nuk mendoj se do të mund ta zhdukim nga planeti ynë, sepse është një virus me transmetim tepër të lartë, saqë zhdukja duket e pamundur”, tha Fauci. “Por ajo që mendoj se mund të bëjmë është të kombinojmë një vaksinë të mirë me vëmendje të shtuar ndaj masave të shëndetit publik. Nuk them se duhet të mbyllemi, por duhet të bëjmë kujdes”.
Fauci parashikoi se pas vitit të ardhshëm, vendet do të arrijnë të kenë më shumë nën kontroll koronavirusin. “Shpresoj dhe besoj që është e mundur që, pasi të kalojë viti 2021 dhe një tjetër cikël, do ta kemi nën kontroll”, tha ai. “A ka mundësi që të mos ndodhë kjo? Sigurisht. Nuk do të ishte realiste të mos e thosha këtë. Por mendoj se do ta kemi shumë më tepër nën kontroll sëmundjen që nga ky dimër”.
Vaksina
Industria farmaceutike ka të ngjarë të prodhojë dhjetëra miliona vaksina të koronavirusit në fillim të vitit të ardhshëm, dhe një miliard doza mund të jenë në dispozicion deri në fund të vitit 2021, tha epidemiologu amerikan Anthony Fauci.
Fauci pret që vaksina kundër COVID-19 të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti, dhe pandemia të vihet nën kontroll.
Ai gjithashtu tha se nuk ka presion nga Shtëpia e Bardhë për të njoftuar lajmet për vaksinën përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA në 3 nëntor, në mënyrë që të rrisin shanset për rizgjedhjen e Presidentit Donald Trump.
Ndikimi i politikës
Rregullatorët, thotë ai, janë zotuar të mos lejojnë që politika të ndërhyjë në miratimin e vaksinës kundër COVID-19 dhe se përparësia e tyre kryesore do të jetë “siguria dhe efikasiteti”.
Ai gjithashtu vlerësoi se disa pjesë të Shteteve të Bashkuara kishin parandaluar mirë përhapjen e virusit, ndërsa pjesët e tjera thjesht ishin “të përflakura”, dhe shpjegoi rezultatet e ndryshme për nga madhësia dhe larmia e vendit.
Intervista e Faucit me Reuters u botua në të njëjtën ditë kur Trump tha në një intervistë për Fox News se virusi “do të largohet dhe do të zhduket ndërsa gjërat ecin”.