Nga Weedah Hamzah
Era e tymit, e gjakut dhe e vdekjes mbizotëroi të mërkurën në portin e Bejrutit, ndërsa trupat e ushtrisë libaneze kërkonin kudo për të mbijetuar të mundshëm dhe më shumë trupa nën rrënoja.
“Qëndroni larg ju lutemi. Vishni dy maska për sigurinë tuaj”, bërtiste një vullnetar i mbrojtjes civile.
Të martën, një shpërthim i madh përfshiu portin e Bejrutit, me një valë në formë reje kërpudhe, që tronditi të gjithë qytetin dhe rrethinat e tij duke vrarë më shumë se 135 njerëz dhe duke plagosur mijëra.
Shkatërrimi i plotë është kudo në port, përfshirë këtu hangarin që supozohej se kishte 2 750 tonë nitrat amoni që u shpërtheu pasi u ruajt atje për vite me radhë.
Njerëzit e ndjenë tokën të lëkundej nën këmbët e tyre. Sizmologët libanezë thanë se shpërthimi ishte ekuivalent me një tërmet me madhësi 4,3 ballë Rihter.
Operacionet e shpëtimit u ngadalësuan brenda natës nga ndërprerjet e energjisë, që Libani përjeton shpesh për shkak të mungesës së karburantit.
Shumë e krahasuan këtë shkatërrim me një “apokalips”.
“Ne kemi parë luftë civile, kemi dëgjuar shpërthime bombash, por asgjë të njëjtë me këtë”, tha Sam Zeidan, inxhinier.
Asnjë ndërtesë në zonën përreth portit nuk i shpëtoi shkatërrimit.
Në zonat deri në 45 kilometra larg vendit të shpërthimit, të gjitha xhamat e dritareve u thyen.
“Muret e shtëpisë sonë ranë, për fat të mirë unë dhe burri im ishin jashtë”, thotë Claude, i cili jeton në lagjen luksoze ”Sursock”, që pësoi dëme masive.
Një grua që qëndronte në ballkonin e saj të dëmtuar në zonë po qante ndërsa bërtiste se “presidenti, qeveria dhe parlamenti duhet të japin dorëheqjen menjëherë”.
Libani po kalon një periudhë të vështirë që nga viti i kaluar, kur protestat masive antiqeveritare çuan në një krizë ekonomike, e cila u acarua më vonë nga pandemia e koronavirusit.
Monedha humbi më shumë se 70% të vlerës së saj ndaj dollarit që nga tetori 2019, kur demonstruesit dolën në rrugë duke kërkuar reforma dhe duke akuzuar qeverinë për korrupsion.
Kjo është përshkruar si kriza më e keqe ekonomike që Libani ka parë që nga përfundimi i luftës civile 1975-1990.
Pastaj goditi Covid-19 dhe Libani u detyrua të rivendosë masa bllokimi disa herë për shkak të rritjes së përsëritur të infeksioneve.
Porti i Bejrutit është arteria kryesore e vendit, pasi Libani importon shumicën e ushqimeve të tij thelbësore.
Ndër të tjera, edhe depot e grurit në port u shkatërruan.
Analistë si Makram Rabah parashikojnë se ky shpërthim do të thellojë betejën ekonomike të Libanit.
“Nëse shikojmë shkatërrimin e këtyre depove, do të thotë që po shkojmë drejt një krize të urisë dhe mungesës së bukës”, thotë Rabah, pedagog në Departamentin e Historisë në Universitetin Amerikan të Bejrutit.
“Ne qeverisemi nga pushtetarë të korruptuar, ne kemi koronavirus dhe tani kjo. Kjo është e tepërt”, thotë Pamela Hanna, e cila ka humbur kolegët në shpërthim.
“Ne jemi të pastrehë. Ne kemi mbaruar. Uroj të kisha vdekur”, bërtet Lara duke inspektuar dëmet brenda shtëpisë së saj, e cila ndodhet përballet me portin.
Ajo gjithashtu këmbënguli se shpërthimi ishte për shkak të një sulmi, pavarësisht mohimeve nga qeveria.
“Ne kemi dëgjuar një aeroplan para shpërthimit”, tha ajo.
Shkaku i shpërthimit nuk është konfirmuar ende, por kryeministri Hassan Diab ”fajësoi” dërgesën prej afro 2 750 tonë nitrat amoni, i cili është ruajtur në një depo në portin e Bejrutit për gjashtë vjet pa masa sigurie.
Ai u zotua se “faktet për këtë depo të rrezikshme që është atje që nga viti 2014″ do të zbulohen.
Mijëra të plagosur mbushën spitalet e Bejrutit.
Kreu i Sindikatës së Spitalit Privat, Suleiman Haroun, tha se ”po merremi me katastrofën dhe kemi bërë shumë deri tani, pavarësisht shumë e shumë personave të plagosur që ende janë duke u trajtuar brenda dhomave të urgjencës dhe korridoreve”.
Ai shtoi se tre spitale kryesore private aktualisht janë jashtë shërbimit për shkak të dëmtimit nga shpërthimi.
Kryqi i Kuq tha se ka rreth 5 000 njerëz të plagosur, disa prej të cilëve kanë dëmtime serioze, duke treguar se numri i të vdekurve mund të rritet.
“Ky ishte si një dënim me vdekje”, thotë një burrë i moshuar, pranë portit.