Numri i viktimave të koronavirusit e tejkaloi dje shifrën 700 000, sipas një përllogaritjeje që ka bërë Reuters. Listën e vdekjeve e kryesojnë Shtetet e Bashkuara, Brazili, India dhe Meksika.
Mesatarisht 5 900 njerëz vdesin çdo 24 orë nga COVID-19, sipas llogaritjeve të Reuters bazuar në të dhënat e dy javëve të kaluara.
Kjo është baras me 247 persona në orë, ose një person çdo 15 sekonda.
Presidenti Donald Trump tha se shpërthimi i koronavirusit është po aq nën kontroll sa mund të mbahet në Shtetet e Bashkuara, ku më shumë se 155 000 njerëz kanë vdekur.
“Ata po vdesin, kjo është e vërtetë”, tha Trump në një intervistë për faqen e lajmeve, Axios. “Kjo nuk do të thotë që ne nuk po bëjmë gjithçka që mundemi. Është nën kontroll aq sa mund ta kontrollojmë”, tha ai.
Në Brazil, Presidenti Jair Bolsonaro e ka minimizuar peshën e masave të pandemisë, pavarësisht se vetë ai dhe disa nga anëtarët e kabinetit të tij rezultuan pozitiv për virusin.
Pandemia fillimisht u përhap ngadalë në Amerikën Latine, ku jetojnë rreth 640 milionë njerëz. Por infeksioni mori përmasa të mëdha me kalimin e kohës sidomos në zonat e varfra dhe qytetet me dendësi të lartë popullsie.
Edhe në pjesë të botës që duket se e kanë frenuar përhapjen e virusit, kohët e fundit numri i rasteve ditore është në rritje, duke sinjalizuar se fitorja e luftës me virusin është shumë larg.
Australia, Japonia, Hong-Kongu, Bolivia, Sudani, Etiopia, Bullgaria, Belgjika, Uzbekistani dhe Izraeli të gjitha kohët e fundit patën rritje të rasteve të reja.