Disa nga familjarët dhe të afërmit e të infektuarve me COVID-19 që po trajtohen në Spitalin infektiv në Tiranë, kanë pretenduar për mungesë informacioni për gjendje shëndetësore të të dashurve të tyre.
Për t’i qetësuar ka dalë mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i cili ndërsa mbante një letër dhe stilolaps në duar, u ka bërë të ditur të afërmve gjendjen shëndetësore të të prekurve me COVID-19.
Lidhur me krijimin e kësaj situate ka reaguar dhe Presidenti, Ilir Meta duke kërkuar që familjarët e pacientëve me koronavirus të trajtohen me dinjitet dhe të informohen mbi gjendjen shëndetësore ku ndodhen.
“Familjarët e qytetarëve të prekur nga COVID-19 meritojnë të trajtohen denjësisht dhe të informohen me transparencë të plotë për shëndetin e të dashurve të tyre, të cilëve ju uroj shërim sa më të shpejtë. Pamjet shqetësuese të publikuara sot në media për grumbullime të shumta në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë kërkojnë reflektim të menjëhershëm”, shprehet Presidenti.