“Unë mendoj se personi i fundit që Rusia dëshiron të shohë në detyrë është Donald Trump, sepse askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë sesa unë, ndonjëherë”, kështu ka deklaruar presidenti amerikan, duke cituar një raport të inteligjencës amerikane që analizonte se Kina po ashtu edhe Irani, do të donin të shihnin Joe Biden të mbizotërojë në zgjedhje, ndërsa Rusia është kundër kandidatit demokrat, por pro Trump.
Komentet e Trump vijnë pasi zyrtari i lartë nga agjensia e inteligjencës amerikane, William Evanina, paralajmëroi se Rusia, Kina dhe Irani do të përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, me Rusinë që tashmë do të investohet kundër ish-Zv.Presidentit Biden, pasi e konsideron “themeluesin” e frymës anti-ruse.
Në një deklaratë të pazakontë publike, William Evanina, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë, tha se këto vende po përdorin dezinformime në internet dhe mjete të tjera për të provuar të ndikojnë në votuesit, të nxisin çrregullime dhe të minojnë besimin e votuesve amerikanë në procesin demokratik. Kundërshtarët e huaj gjithashtu mund të përpiqen të ndërhyjnë në sistemet zgjedhore të SHBA-së duke u përpjekur të sabotojnë procesin e votimit, duke vjedhur të dhënat e zgjedhjeve ose duke vënë në dyshim vlefshmërinë e rezultateve të zgjedhjeve.
Shqyrtime të shumta nga agjensitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Rusia ka vepruar për të rritur fushatën e presidentit aktual Donald Trump, në vitin 2016 dhe për të zvogëluar mundësitë e rivalit të tij Hillary Clinton në ato zgjedhje.
Evanina tha se agjencia e tij vlerësoi se Kina do të preferonte që Trump të mos fitojë në zgjedhjet presidenciale, sepse Pekini e konsideron atë si shumë të paparashikueshëm. Sipas agjencisë, Irani ka të ngjarë të përdorë taktikat e manipulimit në internet, siç është përhapja e dezinformatave për të diskretituar institucionet e SHBA dhe Presidentin Trump, si dhe për të nxitur pakënaqësinë e votuesve amerikanë.