Prej disa muajsh, moderatorja e programeve sportive, Ilda Bejleri, është shkëputur nga ekrani për arsye që deri më sot nuk ishin të ditura. Këtë të enjte ajo ishte e ftuar në “Abc News” dhe ka folur rreth largimit të saj të papritur.
Ilda ka zbuluar se ka preferuar të shijojë momentet me familjen dhe miqtë e saj. Pyetjes se a do të rikthehet, ajo iu përgjigj se gjithçka do të jetë një surprizë e bukur, ndërkohë që persona afër saj flasin se në fakt ajo ka vendosur të shkëputet nga ekrani, një vit pasi testoi biznesin, një qendër estetike mjaft luksoze në qendër të Tiranës. Për sa i përket largimit nga “Procesi Sportiv”, Ilda u shpreh se ishte mësuar të prezantonte e vetme dhe ndihej e lodhur nga klishetë.
“Oferta ka, por megjithatë dua që t’ia lë kohës dhe ta them atëherë kur të jetë momenti. Për momentin dua të shijoj gjërat e bukura me familjen, shoqërinë dhe miqtë. Do të jetë surprizë, por ju premtoj që do të jetë surprizë e bukur. Eksperienca ime te ‘Procesi Sportiv’ ka qenë diçka shumë e bukur, por isha mësuar që të prezantoja vetëm. Mendoj që ndoshta jemi lodhur pak nga klishetë, pra edhe sporti ka nevojë për njerëz që thonë të vërtetën, për një analizë reale”, tha moderatorja.
Një video që tregoi rikthimin e emisionit “Procesi Sportiv” në ekran nxiti dyshimet se moderatorja Ilda Bejleri ishte larguar nga “Top Channel”. Aty thuhej se pas tre muajsh pezullim për shkak të pándemisë do të niste sërish transmetimi, por do të ishte vetëm Edi Manushi, Alesia Bami dhe analistët. Në postim mungonte Ilda Bejleri dhe kjo shtoi dyshimet e zërave që qarkulluan më parë se ajo do të largohej nga ky televizion. Kujtojmë se verën e kaluar Ilda i dha fund rrugëtimit më shumë se 10-vjeçar në “Digitalb”, pas një përplasjeje me Dritan Shakohoxhën. Pasi nuk u pa më as te “Procesi Sportiv”, u fol se ajo ndërkohë ka nisur negociatat me televizionin “Klan”.
Disa ditë më parë, Ilda deklaroi se nuk po shfaqej në ekran pasi programi ishte pezulluar nga pandemia e koronavirusit, por nuk dihet çfarë ndodhi që nuk u përfshi në postimin e Manushit. Aludimet se Ilda mund të largohej nga “Top Channel” erdhën pasi u pa në një foto pranë Ardit Gjebresë në studion e tij në “TV Klan”. Më pas rezultoi se ajo ishte bërë pjesë e sfilatës së stilistit Joni Peçi. Kësaj here në rolin e modeles, moderatorja dëshmoi se i ishte kthyer buzëqeshja pas javëve traumatike që kaloi gjatë karantinës, ku mes lotësh deklaroi se po vuante nga ankthi dhe depresioni.
Tashmë që jeta po rifillon pak nga pak, edhe Ilda ka lënë pas jetën e zymtë dhe lotët, për t’iu rikthyer haresë së jetës dhe biznesit, një qendër estetike ku flitet se ka investuar milionat. Ilda është komentuar jo pak para karantinës, duke filluar nga largimi prej vitesh nga “Digitalb” dhe konflikti me Dritan Shakohoxhën, aksidenti i përfolur i një gruaje, e deri te biznesi luksoz. Të gjitha këto ngjarje në jetën e saj nuk kaluan pa bujë dhe reagime nga vetë Ilda, deri në momentin e izolimit në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Le të shohim nëse Ildën do ta shohim në ekran me tjetër projekt dhe tjetër televizion.
Një vit më parë, Ilda Bejleri hapi një qendër estetike dhe masazhesh në Tiranë, biznesin e ëndërruar, për të cilin investoi milionat. Moderatorja e “Procesit Sportiv”, pas pushimeve luksoze inauguroi biznesin e madh, për ngritjen e të cilit kishte muaj që punonte intensivisht. Një qendër masazhesh dhe hamami është biznesi i bukurisë, pamjet e të cilit Ilda i ka publikuar herë pas here në rrjetet sociale, duke na prezantuar kështu me jetën e saj të re si sipërmarrëse, ndërkohë që punën në televizion e bënte thjesht për hobi gjatë këtij viti që testoi biznesin me klientelën.
Ndjekësit e pyesnin se nga burojnë gjithë këto të ardhura për të ngritur një biznes të tillë, ndërkohë që në televizion është paguar thjesht me një pagë mujore. Moderatorja pak kohë më parë u komentua edhe për pushimet e saj luksoze dhe orën “Rolex” që mban në dorë, por menjëherë u dha përgjigje të gjithëve, duke pranuar se vjen nga një familje e pasur bejlerësh të Tiranës dhe nuk i kanë munguar asnjëherë paratë. Më pas, ajo postoi në “Instagram” pamjet nga apartamenti luksoz, teksa shihej tek ecte në shtëpinë mjaft të madhe dhe të rehatshme. Në një intervistë tjetër, Bejleri tha se vinte nga një familje zotërinjsh dhe për këtë arsye bënte edhe jetë luksi.
Ajo foli edhe për pasurinë e trashëguar nga gjyshja. Në rrjetet sociale, një komentues e pyeti Ildën se si mundet që një gazetare në Shqipëri të ketë orë “Rolex” dhe ajo nuk hezitoi t’i përgjigjej kështu pyetjes 1 mijë dollarëshe: “Sqarim: fakti që jam gazetare dhe pa dyshim paguhem shumë mirë, nuk do të thotë që nuk kam të ardhura familjare, për më tepër që gjyshja ime vjen nga një familje e vjetër ‘tironce’ shumë e njohur e me tradita. P.s. Hera e parë që shpjegoj kaq shumë”, ka shkruar ajo.
Sa i takon punës në televizion, Ilda vitin e kaluar bëri ndryshimin e madh pas 11 vitesh punë në “Digitalb”. Për shkak të një konflikti me Dritan Shakohoxhën, ajo u largua nga imazhi i kësaj platforme, duke nisur një tjetër eksperiencë, atë të prezantueses së “Procesit Sportiv”, emision që po ashtu e la. Ndërkohë që miqtë e saj flasin se Ilda është tërhequr nga ekrani për hir të biznesit, le të shohim se si do të na surprizojë ajo sezonin e ri./ Panoramaplus.al