Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë. Ata i kërkojnë gjykatës të prishë vendimin e Gjykatës të Apelit të Posaçëm dhe pushimin e çështjes së kthyer për rishqyrtim.
Në vendimin e 26 qershorit për kthimin e dosjes në rigjykim, Apeli i Posaçëm argumentoi se Shkalla e Parë ka gabuar kur rikualifikoi akuzën për ta nga “trafik i narkotikëve” në formën e grupit kriminal në “shpërdorim të detyrës”.
Në 4 gusht, Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-shefit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Pasi çështja ndaj tij dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë, Gjykata e Lartë ka shuar dëshirën e Çelës për të zbutur masën e sigurisë “arrest në burg”. Jaeld Çela qëndron në burg prej 16 majit, kur u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës pas më shumë se 2 vitesh qëndrimi në arrati.
Gjatë arratisë ai u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 3 vjet e 4 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”.