Kulturë QKLL ndan çmimet e konkursit të letërsisë për fëmijë

QKLL ndan çmimet e konkursit të letërsisë për fëmijë

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot çmimet e projektit “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.

Duke qenë se qershori u shpall muaji i letërsisë për fëmijë, ky konkurs letrar erdhi si mbështetje e krijimtarisë së autorëve shqiptarë për fëmijë, me qëllim nxitjen e shkrimit të kësaj letërsie.

“20 vepra u bënë pjesë e kësaj gare, e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit të letërsisë për fëmijë”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.

Kryetari i jurisë, Gaqo Bushaka, u shpreh se letërsia për fëmijë po zhvillohet akoma më tej dhe ishte e vështirë përzgjedhja e fituesve.

Juria e përbërë nga Gaqo Bushaka, Anisa Ymeri, Enkelejd Lamaj kanë vlerësuar tri vepra si më të mira të këtij konkursi: romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën, libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin, përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhanin.

Fituesit u përkasin gjeneratave të ndryshme, duke sjellë edhe larmi në zhanret e lëvruara dhe duke pasuruar bibliotekat.

Fituesit:

Luan Rama me romanin “Udhëtim drejt planetit Arbër”

Motivacioni: Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. Shkrimi i librit qartazi është i paraprirë nga një kërkim jo i vogël dhe është një histori e bukur për fëmijët.

Rudina Çupi me librin didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok”

Motivacioni: Për vlerat e larta gjuhësore, që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe përmes historive.

Rovena Rrozhani me përrallën “Fani në kërkim të dritës”

Motivacioni: Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë e të vegjëlve.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të mbështesë botimin e këtyre 3 dorëshkrimeve që u përzgjodhën nga juria e këtij konkursi.