Qeveria shqiptare ka firmosur këtë të martë marrëveshjen me qeverinë italiane për të vijuar zbatimin konkret të ndihmës prej 95 milionë euro (kredi dhe grante), shumë kjo e cila u dha nga shteti fqinj në Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel për procesin e rindërtimit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i cili hodhi firmën së bashku me ambasadorin italian në Shqipëri, Fabricio Bucci, ndërsa garantuan se procesi i rindërtimit do të ecë me ritme të shpejta.
“Siç e përmenda në takimin tonë të fundit, do të ishte përparësia ime fillimi sa më shpejt i aktivitetit të punës”, tha ministri.
Pesë milionë euro nga e gjithë ndihma e Italisë janë grante që do të shkojnë për rindërtimin e objekteve publike, të cilat u shkatërruan apo dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.
Pjesa tjetër e ndihmës prej 90 milionë euro do të jepen në formën e një kredie të butë, dhe shuma në fjalë pritet të implementohet në disa sektorë të vendit, ku nevoja për ndërhyrje është e konsiderueshme. Këto para do të kanalizohen në këto fusha, të cilat janë si vijojnë:
a) Në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit.
b) Në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit.
c) Në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile.
Ministri Arben Ahmetaj, i kërkoi ambasadorit italian që ky proces të vijojë me ritme të qëndrueshme, dhe sektorët që janë piketuar të rifuqizohen sa më parë të jetë e mundur.
Ambasadori Fabrizio Bucci, gjatë fjalës së tij tha se kjo marrëveshje tregon mbi të gjitha marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, që sipas tij kanë qëndruar gjithmonë në krah të njëra-tjetrës.
“Marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes nesh jo vetëm si miq por edhe si vëllezër”, theksoi ai.