Bashkimi Europian do të asistojë Shqipërinë me një ndihmë prej 180 milionë eurosh, si pjesë e programit të asistencës makrofinanciare, i cili ka për qëllim t’u vijë në ndihmë disa shteteve të rajonit për të lehtësuar efektet e pandemisë së koronavirusit në ekonomi.
Për Shqipërinë, ky fond do të shkojë në forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes dhe luftimin e korrupsionit dhe forcimin e mbrojtjes sociale.
Memorandumi i Mirëkuptimit për programet e ndihmës makro-financiare me tetë partnerë, përfshirë katër vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria, është miratuar sot nga Komisioni Evropian, në emër të BE-së.
Marrëveshjet janë pjesë e paketës së ndihmës makro-financiare prej 3 miliardë eurosh për dhjetë partnerë fqinjë dhe kandidatë për të përfituar nga zgjerimi, me qëllim që t’i ndihmojnë ata të kufizojnë ndikimin ekonomik të pandemisë. Kjo ndihmë ishte propozuar për herë të parë nga Komisioni në prill të këtij viti.
Për Kosovën, fondi prej 100 milionë urosh do të shkojë për forcimin e financave publike dhe stabilitetin financiar, adresimin e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë, dhe luftën kundër korrupsionit.
Për Malin e Zi është ndarë një fond prej 60 milionë eurosh, i cili do të shkojë për forcimin e financave publike dhe luftën kundër korrupsionit, forcimin e stabilitetit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe reformimin e mbrojtjes sociale.
Për Maqedoninë e Veriut, fondi prej 160 milionë eurosh do të përdoret për forcimin e qeverisjes fiskale dhe transparencës, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe trajtimin e papunësisë së të rinjve.