Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, katër të dënuarve të radhës.
Bëhet fjalë për dy persona në Lezhë dhe dy në Kurbin.
“K. L., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim;
M. Ll., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
A. S., banues në Kurbin, i dënuar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”;
A. N., banues në Kurbin, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal””, thuhet në njoftim.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim brenda 48 orësh të gjitha pyetjeve të OFL-së. pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
“OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, thuhet në njoftimin e OFL-së.