Ish-drejtori i Breshias, Gianluca Nani, e ka mbështetur Andrea Pirlo për sukses në rolin e ri, duke thënë se trajneri i ri i Juventusit i kujton Pep Guardiolën. “Maestro” u emërua trajneri i ri i kampionëve italianë të shtunën, vetëm disa orë pasi klubi shkarkoi Maurizio Sarrin, pas vetëm një sezoni në krye. Emërimi i 41-vjeçarit u pa si befasi, pasi në fund të korrikut ai u caktua trajneri i Juventusit U-23. Tani Pirlo do të bëjë hapin e madh, do të drejtojë kampionët e Serie A pa pasur ndonjë ndeshje si kryetrajner në karrierën e tij.
Sidoqoftë, Nani beson se përkundër papërvojës të tij, Pirlo ka atë që duhet për të arritur sukses në pankinën e Juventusit. “Ai ka një karakter të fortë, – tha Nani për “Daily Mail”. – Pirlo nuk flet shumë, kështu që njerëzit mendojnë se hesht. Sidoqoftë, nuk është e vërtetë që ai nuk flet. Me shokët e skuadrës është gjithmonë i njehsuar, gjithmonë lideri, ka shumë karizëm dhe një mentalitet të fortë fituesi. Ai është me të vërtetë njeri pozitiv dhe ka një mentalitet kaq të fortë. Për mua do të jetë një trajner i nivelit të lartë, vërtet e besoj këtë gjë”.
Pirlo doli nga radhët e të rinjve të Brescia, aty ku Nani ishte drejtor sportiv në atë kohë, para se të bënte debutimin në ekipin e parë më 1995, në moshën 16 vjeç. Tri vite më vonë, mesfushori i talentuar qendror u shit tek Interi. Ashtu si Pirlo, Guardiola, gjithashtu, ka pasur një eksperiencë te Brescia, duke kaluar një periudhë të shkurtër me klubin e Serie A në sezonin 2002-2003. Duke pasur rastin të njihej me të dy, Nani beson se Pirlo do të përpiqet të imitojë trajnerin e Manchester City, mënyrën se si skuadrat e tij luajnë futboll: “Ai ka pak Guardiola brenda vetes. Unë nuk e shoh Pirlon duke luajtur me topa të gjatë. E shoh duke luajtur futboll tërheqës, ofensiv. Kështu e shoh Pirlon. Si lojtar kishte të njëjtin qëndrim si Guardiola. Ata ishin të ndryshëm si lojtarë, por me të njëjtin mentalitet, të njëjtën filozofi futbolli. Kjo është arsyeja pse mendoj se do të jetë ai lloj trajneri. Andrea është një djalë i zgjuar dhe me të vërtetë inteligjent”.