Imuniteti i tufës nuk funksionon si strategji kundër Covid-19. Në këtë përfundim ka dalë një kërkim i fundit i disa shkencëtarëve ku në studim u mor Suedia.
Shteti skandinav nuk u fut në karantinë në nivel kombëtar duke pretenduar se imuniteti i tufës do të mbrojë popullsinë. Me këtë taktikë synohet që shumica e njerëzve të infektohet dhe të bëhet rezistente ndaj virusit, aq sa ai nuk mund të shpërndahet më.
Mirëpo një analizë e University College London sugjeron që vendi është shumë larg këtij qëllimi. Vetëm 15% e popullsisë në Stokholm, kryeqytetin suedez, është infektuar deri më tani. Ky rezultat bëhet i ditur pas testimeve me antitrupa.
Për imunitetin e tufës duhet që të infektohet të paktën 60% e popullsisë. Ndërkohë Suedia për momentin ka nivelin më të lartë të infeksioneve dhe viktimave krahasuar me vendet e tjera skandinave.
Deri më 23 Qershor atje ishin regjistruar 5161 viktima, ose 511 viktima për 1 milionë banorë bazuar në popullsinë suedeze.