Demokratët Joe Biden dhe Kamala Harris duan të futen në Shtëpinë e Bardhë. Menjëherë pas nominimit për postin e zëvendëspresidentes, Harris dhe Biden filuan sulmet e sinkronizuara kundër Trumpit.
Kandidati i demokratëve për president Joe Biden dhe e nominuara për zëvendëspresidente Kamala Harris dëshmuan në paraqitjen e parë të përbashkët një vullnet të fuqishëm për konflikt me presidentin e tanishëm Trump. Në qytetin e lindjes së Bidenit në Wilmington ata të dy dëshmuan një harmoni të plotë mes vete, duke thënë se në zgjedhjet e ardhshme në nëntor do ta mundin presidentin aktual Donald Trump. “Unë jam i gatshëm të filloj punën“, theksoi Harris, e cila kritikoi Trumpin ndër tjerash edhe për dështime në kohën e krizës së Coronës.
Vdekja e më shumë se 165.000 njerëzve në SHBA nga virusi Corona ka mundur të evitohet, theksoi ish-prokurorja e përgjithshme në Kaliforni. Ajo foli edhe për gjendjen tepër të rëndë ekonomike dhe sociale në vend, si pasojë e krizës së Coronës. “Dështimet në menaxhimin e krizës nga presidenti dhe administrata e tij në kohën e pandemisë e kanë shkaktuar krizën më të thellë ekonomike në vend, që nga koha e depresionit të madh.” Depresioni i madh ekonomik në SHBA ka filluar në vitin 1929.
Njëkohësisht manifestimi i racizmit dhe padrejtësive sistematike ka rezultauar me një “koalicion të ri të ndërgjegjes në rrugë, i cili kërkon ndryshime”, theksoi 55-vjeçarja, bijë emigrantësh nga India dhe Xhamajka.
“Amerika thërret me dëshpërim për drejtues të ri. Ne tani kemi një president, i cili më shumë kujdeset për veten sesa për njerëzit që e kanë zgjedhur.”
Biden kritikon Trumpin
Edhe Bideni sulmoi ashpër Trumpin. Në vend se të merret me krizën, Trumpi po kalon më shumë kohë në fushat e lojës së golfit. Së bashku me Harris “do ta rindërtojmë këtë vend sërish”, premtoi Biden.
“Zgjedhjet që do të bëjmë këtë nëntor do të përcaktojnë të ardhmen e Amerikës për një kohë shumë të gjatë. Donald Trump i ka nisur që tani sulmet, duke e quajtur Kamalën të keqe, e të zhurmshme. A është ndokush i befasuar që Donald Trump ka probleme me gratë e forta?”, u shpreh Biden.
Në paraqitjen e tyre të parë të përbashkët, çifti i ri politik dëshmoi në mënyrë demonstrative një afërsi njerëzore. 77-vjeçari Biden rikujtoi edhe bashkëpunimin me Harris në kohën kur i vdiq i biri Beau në vitin 2015 nga një tumor në kokë.
Biden e ka propozuar senatoren Harris të martën për të ashtuquajturin “Running Mate”, siç quhen zëvendëspresidentët në SHBA. Biden shpreson se me këtë kandidaturë do të fitojë mbështetjen e zgjedhësve ku deri tani ka pasur më pak mbështetje. Në një anketë të agjensisë Reuters thuhet se Harris ka mbështetje më të madhe tek disa grupe zgjedhësish, sesa vet kandidati për president Joe Biden. 60 % e grave kanë mendim pozitiv për Harris, ndërsa Bidenin e mbështesin 53 %. Për Harris kanë mendim pozitiv edhe zgjedhësit nën moshën 35 vjet. Harris e mbështesin 62 % prej tyre. Ndërkohë që rreth 25% e simpatizantëve të republikanëve kanë mendim pozitiv për Kamala Harris, ndërsa për Bidenin mendim pozitiv kanë vetëm rreth 20% të këtij grupi.
Javën e ardhshme Biden dhe Harris do të nominohen nga Partia Demokratike edhe zyrtarisht si kandidatë për president dhe zëvendëspresidente. Një javë më vonë mbahet mbledhja e Partisë Republikane, ku pritet nominimi i Trumpit për mandatin e dytë në postin e presidentit. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen me 3 nëntor.