Policia ka ndarë detaje dhe pamjet nga operacioni “Driloni” që çoi në 7 numrin e të arrestuarve për sulmin që u bë hotelit në Tushemisht me 100 plumba.
Mes të arrestuarve është edhe organizatori i sulmit.
Ekzekutori i ngjarjes, është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë, si dhe për vjedhjen me dhunë të një automjeti në Korçë.
“Në kuadër të hetimeve proaktive të koordinuara nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të ndjekura nga strukturat hetimore të DVP Korçë dhe të DVP Tiranë, u arrit të lokalizohej baza ku fshihej organizatori dhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen në Tushemisht.
Si rezultat, strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Pogradec, Forcat e Posaçme Opreacionale në DPPSH, si edhe Repartin Special RENEA, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, falë koordinimit të veprimeve dhe përdorimit të dronit finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Driloni” si rezultat i të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
- Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);
- Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);
- Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”).
Shërbimet e Forcave Operacionale kanë bërë kapjen në flagrancë të tyre në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja, i cili dyshohet se ka përkrahur pas kryerjes së krimit, shtetasin Meardi Berberi, duke i mundësuar kushte dhe mjete për jetesë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 thikë, krehra, sasi municioni luftarak, të cilat i posedonin pa leje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, sasi monetare në lek dhe euro.
Gjithashtu janë sekuestruar pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit që dyshohet se janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, të cilat do dërgohen për ekzaminim ne laboratorin shkencor”, njoftoi policia.