Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të shtunë në Kakavijë. Një ambulancë ka përplasur për vdekje një fëmijë 10-vjeçar, familja e të cilit po qëndronte në radhë për të kaluar doganën drejt shtetit grek.
Ambulanca po transportonte drejt spitalit një grua me probleme shëndetësore. Dyshohet se fëmija i ka shpëtuar nënës nga duart dhe ka dalë para mjetit.
Përplasja ka qenë fatale për të miturin e cili ka humbur jetën në vend. Mësohet se familja e 10-vjeçarit është nga Lezha.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë kthesës së fshatit Bularat.
Prej disa ditësh në aksin Gjirokastër-Kakavijë është krijuar radhë e gjatë mjetesh që presin të kalojnë kufirin me Greqinë.
Emigrantët shqiptarë shkuan me qëllimin që të kalonin kufirin përpara se të hynin në fuqi masat e reja të vendosura nga shteti grek ku kërkohet karantinim 7-ditor dhe testi negativ për Covid.