Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me situatën e krijuar në Kakavijë. Ai thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë greke, por situata aktuale në Kakavijë nuk është padrejtësi ose diskriminim ndaj popullit shqiptar. E gjitha vjen si pasojë e pandemisë, shkruan Rama, ku shton se të njëjtën situatë ka përjetuar Britania pasi vendosi të rikthejë karantinën për qytetarët që vijnë nga jashtë vendit.
“Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë “patriotët” që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj. Madje edhe vetë shtetasit grek kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim”.
Rama mendon se vendosja e detyruar e tamponimit të çdo individi që hyn në një shtet të caktuar është e pakuptimtë. Kjo pasi nuk dihet se kur mund ta kesh marrë virusin dhe tamponin mund ta kesh bërë një ditë më parë ose në fazën kur e ke bërë ai nuk është inkubuar.
“Por kështu e ka vendosur Greqia dhe jo vetëm Greqia po edhe plot shtete të tjera, ndërkohë që të tjera shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk e kanë këtë rregull. Së fundmi, disa shtete, përfshirë edhe Greqinë, kanë deklaruar se do të rifillojnë madje me karantinimin e detyruar të atyre që vijnë nga jashtë”, shkruan Rama që shton se qeveria shqiptare nuk mund të bëjë asgjë përderisa ky është një rregulli i përgjithshëm i Greqisë.
Megjithatë ai thotë se po vijon ndihma e qytetarëve përmes Emergjencave Civile. Ndërkohë, Shqipëria nuk do të karantinojë personat që vijnë nga jashtë. Njëkohësisht as lëvizja e qytetarëve brenda për brenda nuk do të shtrëngohet sërish.
“Por do të vazhdojmë të përsërisim se kjo luftë me virusin Covid19, kërkon që çdo qytetar të zbatojë rregullat e mësuara përmendësh tanimë. Virusi do të jetë vërdallë edhe për shumë kohë dhe ne duhet të mësohemi me faktin se jemi të rrezikuar, e nga ky rrezik nuk na mbron dot askush nëse nuk mbrojmë veten e njëri-tjetrin. Asnjë shtet e asnjë qeveri nuk janë të pakritikueshëm, aq më shumë në këtë kohë dreqi, por jo, asnjë lidhje nuk ka situata në Kakavi me ndonjë gjë të lënë mangut nga shteti e nga qeveria jonë në raport me shtetin e me qeverinë greke. Prandaj me keqardhjen më të madhe për sfilitjen e të gjithë atyre që janë në atë radhë të tmerrshme, i siguroj të gjithë pa përjashtim se as i kemi lënë dhe as do t’i lemë asnjë minutë vetëm, deri në fund”.
Prej katër ditësh mijëra emigrantë shqiptarë mbeten në pritje për të kaluar kufirin me Greqinë, ku pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës janë kufizuar duke punuar vetëm gjatë ditës.
Radhët janë nxitur prej faktit se prej së hënës autoritetet do të kërkojnë analizën e COVID-19 për të mundësuar kalimin dhe krahas kësaj vendosjen në karantinë të detyrueshme për 7 ditë.
Ditën e sotme gjendja u rëndua më tepër kur një fëmijë u aksidentua nga një ambulancë në Bularat.