“Unë jap para për të shpëtuar jetë, ndërsa kundërshtarët e vaksinës së koronavirusit më akuzojnë për vrasjen e njerëzve”, tha Bill Gates në një intervistë me Bloomberg.
Fondacioni i tij ka financuar më shumë se 350 milion dollarë për të luftuar COVID-19 si dhe për të prodhuar vaksinën.
Por kundërshtarët e vaksinës dhe teoricienë konsiprativë, pretendojnë se Gates ka arsye të mbrapshta. Por Gates thotë se me optimizëm beson që bota do ta kuptojë që këto janë vetëm andralla – shkruan Bloomberg.
I pyetur nëse ishte i sigurt se një vaksinë efektive do të shpërndahej në botë deri në fund të këtij viti, ai tha se vaksina fillestare nuk do të ishte me efektshmëri ideale.
“Vaksina fillestare nuk ka për të qenë ideale në termat e efektivitetit kundër sëmundjes dhe transmetimit. Mund të mos ketë një kohëzgjatje të madhe dhe do të përdoret kryesisht në vendet e pasura…Do të ishim me fat të kemi mjaftueshëm para fundit të vitit. Por më pas, më 2021 një numër vaksinash të tjera me shumë gjasë do të aprovohen”, shprehet Gates.
I pyetur nëse vaksinimi kundër COVID-19 duhet të jetë i detyrueshëm, Gates tha se nëse vihen me detyrim mund të prodhojnë efekt të kundërt, por sipas tij për njerëz që punojnë ku ka mosha të thyera, një gjë e tillë duhet të aplikohet. I pyetur sesi do të përfundojë kjo situatë pandemike, Gates mendon se mjekësia do të triumfojë.
“Risitë terapeutike do të ulin shkallën e vdekshmërisë, por fundi i vërtetë do të vijë nga përhapja natyrale e infeksioneve dhe vaksina që do të na japë imunitet kolektiv. Për vendet e pasura ky fund do të jetë diku nga viti që vjen, idealisht në gjysmën e parë. Ne do të dalim nga kjo situatë nga fundi i 2021-t. Ishim me fat që nuk ishte një sëmundje më fatale”, është shprehur Gates.
I pyetur për të komentuar teoritë e komplotit sipas së cilave vaksina do kontrollojë mendjet njerëzore me ndihmën e valëve 5G dhe të ngjashme, Gates tha që ishte mjaft e çuditshme.
“Ata e marrin faktin që unë jam i përfshirë në zhvillimin e vaksinave dhe pastaj abuzojnë me këtë. Nëse kjo i largon njerëzit nga vaksinimi, ky është një problem i madh”, tha Gates.