Bota Tensionet Greqi-Turqi, BE zhvillon një mbledhje urgjente

Tensionet Greqi-Turqi, BE zhvillon një mbledhje urgjente

Ministrat e BE-së mbajtën një mbledhje urgjente të premten pas tensioneve ushtarake midis Greqisë dhe Turqisë, në lidhje me të drejtat e gërmimit në Mesdheun lindor.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha se Turqia do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz në ujërat e diskutueshme deri më 23 gusht, siç e kanë planifikuar.

Por pas bisedimeve me Gjermaninë, ai la të kuptohet se Ankaraja dhe Berlini kishin rënë dakord të zbutnin pozicionet që pas asaj date.

Nuk ka ende informacion nëse është konsultuar Athina për këtë çështje, apo edhe nëse është dakord.

Erdogani paralajmëroi se Turqia do t’i përgjigjet me forcë çdo “ngacmimi” të anijeve të tyre nga Greqia.

Turqia i ka shoqëruar anijet e kërkimit me dy luftanije, të pozicionuara midis Qipros dhe Kretës, ndërkohë që edhe Greqia ka angazhuar anijet e veta në zonë.

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, ka udhëtuar në Vjenë këtë të premte ku është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, dhe ministrin e jashtëm austriak.

Gjermania ka presidencën e radhës të BE-së, dhe ministri i jashtëm gjerman ka deklaruar para bisedimeve se provokimet në Mesdhe nuk mund të vazhdojnë.

“As gërmimet e Turqisë nuk mund të vazhdojnë”, shtoi ai. “Po punojmë për të vendosur dialog mes palëve, që të gjejmë një zgjidhje për këtë problem”, tha Maas, duke shtuar se gjatë negociatave nuk duhet të ketë gërmime.