Opinione Le të përpiqemi të kuptojmë diçka në konfliktin greko-turk

Le të përpiqemi të kuptojmë diçka në konfliktin greko-turk

Nga Dritan Hila

Sa i takon zonës ekskluzive ekonomike, Turqia ka të drejtën e Zotit. Nuk mund ta lësh një komb 90 milionë të mos ketë të drejtë të lagi as këmbët në det.

Beteja e Galipolit duhet t’i rikujtojë perëndimit se nuk mund të poshtërosh një komb krenar për historinë e tij. Edhe pse në grahmat e fundit te saj, Perandoria Otomane shkroi një faqe lavdie ndaj kundërshtarëve që përfshinin një aleancë pothuajse perëndimore.

Në rast të një konflikti, personalisht nuk besoj se Rusia apo Kina do të jetë në krah të Turqisë. Historia nuk e dëshmon. Ashtu sikurse aleanca e Francës me Greqinë do të jetë e tillë që do presupozojë një aleancë deri në vdekje. Franca zakonisht ose kapitullon ose pret ndihmën e britanikëve apo amerikanëve. Të cilët në vetvete nuk është se kanë një qëndrim të prerë antiturk. Turqia është një lojtar me peshë në Lindjen e Mesme.

Por nuk duhet harruar se sot ushtria turke pas spastrimeve të tentativës për grusht shteti, ngjan me historinë e Ushtrisë së Kuqe pas spastrimeve të vitit 1936. Qindra oficerë të gjitha rangjeve janë spastruar. Megjithatë potenciali ushtarak turk është i tillë që në një përplasje të vetmuar me Greqinë apo edhe Egjiptin, ose në aleancën e tyre, është superior. Pa një ndërhyrje nga ana e perëndimit, ushtria turke është në gjendje të bëjë pluhur mbrojtjen greke të ishujve të cilat janë me qindra kilometra larg vijave të furnizimit. Ndërsa egjiptianët thjeshtë nuk kanë barazvlefshmeri me turqit në dete. Turqit nuk ngjajnë me ushtrinë italiane të Musolinit që ngeli skërkave të Përmetit, por më shumë me atë të Hitlerit.

Cili mund të jetë fati i kësaj përplasjeje? Me siguri do të mbesë një konflikt i ngrirë. Në kushtet e një disbalance ushtarake, Greqia nuk e ka mundësinë të turpërojë Turqinë dhe as Turqia të lejojë ta poshtërojnë në dyert e saj. Greqia është vërtet një simbol për perëndimin për vetë faktin e historisë së saj, por Turqia nuk është poshtëruar në mënyrë të tillë as në ditët më të zeza të saj, që ishin ato pas Luftës së Parë Botërore. Kjo nuk është çështje mes Erdoganit dhe perëndimit por mes interesave strategjike të një kombi gjuhën e të cilit e flasin mbi 400 milionë banorë dhe me influencë që nga ujgurët e Kinës e deri në brigjet e Atlantikut. Mendoni se perëndimi dhe veçanërisht BE në rast përplasjeje greko-turke do jetë kaq progrek sa tani? Vështirë!

Cili është përfitimi shqiptar nga ky konflikt? Së pari, asnjë qeveri shqiptare nuk do guxojë të bëjë një marrëveshje të ngjashme me atë Bakojanis-Basha.

Së dyti, standardet që po përpiqet të imponojë Greqia duke iu shkuar fqinjëve te plazhet, do frenohen.

Së treti, mbase kjo do t’i shërbejë Greqisë që të kuptojë se nuk mund të hapë luftë në të gjitha frontet. Nuk ia kanë dalë dot gjermanët, lëre pastaj ca ballkanas që ngatërrojnë marshet e tankut./dritare.net