Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 61-vjeçar nga Puka në pikën kufitare të Hanit të Hotit, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.
Bëhet fjalë për Fran Prendin, i cili ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me burg të përjashtëm, por gjatë trazirave të vitit ’97, ai u largua nga burgu i Bënçës në Tepelenë dhe jetoi për më shumë se dy dekada në arrati.
Sipas policisë, ky shtetas rezulton në listën e 50 personave më të kërkuar në Shqipëri. Ky person, siç bën të ditur policia, në vitin e largët 1992 në vendin e quajtur tek “Rezervuari i Qytetit” në Pukë, ka ekzekutuar një person për motive të dobëta.
Policia e Shtetit thekson se 61-vjeçari në momentin e paraqitjes në pikën kufitare ka deklaruar gjeneralitete të tjera për t’i shpëtuar drejtësisë, por kjo tentativë e tij nuk rezultoi e suksesshme.
“Falë bashkëpunimit të Njësisë së Posaçme të Kërkimit “Fast”, me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST, u mor informacion për ardhjen e këtij shtetasi në drejtim të Shqipërisë, i cili në pikën e kalimit kufitar ka dhënë gjeneralitete të tjera me qëllim mosidentifikimin, por është vënë në pranga pas verifikimeve të hollësishme”, sqaron policia.