Barcelona e ka vendosur: Ronald Koeman do të jetë trajneri i ri i “blaugranave”. Lajmi i përhapur që të hënën, sot gjen konfirmime më të rëndësishme. Presidenti Bartomeu, në një konferencë për shtyp, tha se do të jetë holandezi ai që do të marrë në dorë fatet e klubit.
“Nëse asgjë nuk ndryshon, Koeman do të jetë trajneri i Barcelonës. Ne e dimë mirë se si funksionon, si punon, filozofinë e tij, përvojën. Ne i besojmë. Ishte i pari që telefonuam në janar.”
Koemani ka qenë më parë si futbollist pjesë e Barcelona nga viti 1989 deri më 1995, duke vendosur edhe finalen e Champions League 1992 kundër Sampdorias. Bartomeu gjithashtu siguroi që, përkundër thashethemeve, Messi është akoma në qëndër të projektit.
“Kam folur me Koemanin, shtylla e projektit do të jetë ende Messi. Ai ka kontratë deri në vitin 2021. Flas shumë me Leon dhe babanë e tij. Është numri 1 në botë. Nuk kemi asnjë dyshim, Koeman do të mbështetet te Messi”.