Aktualitet Shqipëria nis trajtimin me plazmë të pacientëve me COVID, Manastirliu apel për...

Shqipëria nis trajtimin me plazmë të pacientëve me COVID, Manastirliu apel për të dhuruar gjak

Shqipëria prej pak ditësh ka nisur trajtimin me plazmë të të prekurve me COVID-19. Pas nisjes së aplikimit të kësaj mënyrë të re për kurimin e të infektuarve, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve që kanë kaluar coronavirusit që të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, ka nisur procedurën për terapinë e plazmës konvale për trajtimin e të prekurve nga COVID-19 që janë në trajtim spitalor. Ministrja Ogerta Manastirliu, nga banka e gjakut në QSUT ka deklaruar se janë marrë masat dhe janë finalizuar protokollet për terapinë e plazmës.

“Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë shtoi se janë marrë masat për kryerjen e të gjithë procesit, që nga ekzaminimet e deri te procesi final i trajtimit.

“Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.

Një paciente 30-vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar gjak në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me COVID19.

Shefja e shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo u bëri apel personave që e kanë kaluar sëmundjen, të bëjnë këtë gjest human në ndihmë të atyre që kanë nevojë.

Çdo mashkull që është ndërmjet 18-65 vjeç dhe çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatëzani, që e kanë kaluar COVID19, mund t’i bashkohen iniciativës së dhurimit vullnetar të gjakut/plasmëz për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi në spitale.

Dhurimi mund të bëhet në çdo bankë gjaku në spitale dhe çdo person që dëshiron të dhurojë, mund të aplikojë online në faqen ueb të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.